Lushnjës i bën punë edhe barazimi ndaj Pogradecit, Haremi e Ruço ngrenë ‘murin’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 12:18

Lushnjës i bën punë edhe barazimi ndaj Pogradecit, Haremi e Ruço ngrenë ‘murin’

Edhe 1 pikë sot në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit do të kishte vlerë për skuadrën lushnjare, sepse do ta mbante në vend të dytë. Por Lushnja nuk është një skuadër barazimesh. Gjatë këtij sezoni verdhejeshilët kanë barazuar vetëm dy herë dhe në të dyja rastet në transfertë, për herë të fundit më 23 shkurt, 0-0 në Cërrik me Turbinën. Ndeshja e sotme është ndryshe, mjaft e nxehtë, ndërsa lushnjarët luajnë gjithë sezonin dhe rezultati pozitiv është e vetmja mundësi për të shkuar në ndeshjet shtesë.

erzeni lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla ka një pikë më shumë se liqenorët dhe mjafton barazimi për të kaluar më tej. Verdhejeshilët nuk janë stërvitur dje, por në orën 16:00 janë grumbulluar në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe janë nisur drejt Pogradecit, ku sot luajnë supersfidën.

HAREMI

Lushnjës nuk i mungon eksperienca në të tri repartet për ndeshje të tilla. Edhe njeriu që ruan katërkëndorin e portës, Oltjan Haremi, ka një eksperiencë të konsiderueshme dhe sot pritet të jetë vendimtar për skuadrën. “Rruga drejt Superiores është e mbushur me pengesa, por Lushnja beson deri në fund. Jemi të përqendruar te kjo ndeshje, ku nga ne kërkohet rezultat pozitiv për realizimin e objektivit. Si kundërshtari, edhe ne kemi pretenduar gjatë gjithë kampionatit, jemi përgatitur dhe kemi besim se do ta kalojmë këtë pengesë.

Personalisht jam përgatitur për një ndeshje të mirë dhe nëse nuk pësoj, do të ishte shumë pozitive për mua dhe ekipin. Janë 90 minutat e fundit dhe hapi pozitiv është vendimtar”, është shprehur dje për “Panorama Sport” portieri 28-vjeçar i Lushnjës, Haremi. Takimi është në program të luhet në orën 17:30, njësoj si të gjitha takimet e fazës së tretë, dhe sigurisht, me dyer të mbyllura.oltjan haremi

RUÇO

Një tjetër veteran i formacionit verdhejeshil, Ledion Ruço, një nga lojtarët që asiston më shumë Cankën dhe Mezinin me kroset nga krahët, deklaron se Lushnja do të dalë me kokën lart nga kjo ndeshje mjaft delikate. “Ekipi është përgatitur dhe gjendja duket e mirë. Është një ndeshje përcaktuese dhe eksperienca që kemi na jap siguri për të ruajtur vendin e dytë. Mbi të gjitha, kemi dyshen e sulmit Canka-Mezini, që është në gjendje të bëjë shumë për skuadrën. Besojmë të gjithë se do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe nëse shënojmë të parët, do të jemi më pranë rezultatit që duam”, theksoi mbrojtësi i krahut, Ruço.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"