“Lushnjën e shoh të rrezikuar”, ish-kapiteni Çela: Kupa prestigj, por të ndryshojnë “kurs” në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2022 | 21:10

“Lushnjën e shoh të rrezikuar”, ish-kapiteni Çela: Kupa prestigj, por të ndryshojnë “kurs” në kampionat

Lushnja kaloi në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Një ndeshje e vuajtur dhe që u shpenzoi jo pak energji verdhejeshilëve, e megjithatë vlen për prestigj. I këtij mendimi është edhe ish-kapiteni Gentian Çela. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” ai shpreson që tani skuadra do të ndryshojë kurs edhe në kampionat dhe menjëherë, pasi koha nuk premton. 41-vjeçari mendon se 5 pikë në 5 javë janë shumë pak për lushnjarët.

Gentian-Cela-ne-sulm-tregon-sherrin-dhe-akuzon-Dedjen

“Lushnja u kualifikua në turin tjetër dhe mendoj se kjo gjë u ngre prestigjin dhe moralin futbollistëve. E megjithatë, tani duhet të tregojnë veten në kampionat. Aty duhet të marrin rezultate më të larta, që t’i largohen fundit. Deri tani kanë grumbulluar 1/3 e pikëve maksimale.

Duhen 45% e pikëve maksimale për të qëndruar në këtë kategori, sikurse ndodhi vitin e kaluar kur u morën 42 pikë, nga 90 të mundshmet. Pesë pikë në pesë javë janë shumë pak për Lushnjën. Të paktën të ishte ruajtur rezultati pozitiv në Berat, ndërsa barazimi në shtëpi me Burrelin është i pafalshëm. Skuadra duhet të ndryshojë. Nuk duhet harruar asnjëherë se dalin direkt katër skuadra nga kategoria.

Në Fier nuk bënë asgjë, për shembull, dhe mund të humbiste edhe më thellë. Me Flamurtarin pritej reagimi, por nuk u godit asnjëherë porta kundërshtare. Shqetësimi më i madh që kam është mungesa e agresivitetit. Me vlonjatët nuk fituan asnjë duel fizik. Deri më tani, i shikoj shumë të rrezikuar për të rënë më poshtë. Për një pikë, ose edhe me një gol mangët del nga kategoria.

Për të pretenduar më lart as që bëhet fjalë. Me një kampionat që sa vjen e forcohet dhe i redukton skuadrat nga viti në vit, duhet një autokritikë e menjëhershme. Duke nisur nga Korabi madje. Në këtë sfidë ekipi duhet të bëjë maksimumin për të marrë pikët e para në transfertë. Në fushën e vet, Lushnja nuk duhet ta diskutojë fitoren. Vetëm kështu fillon drejt zonave të qeta”, tha fillimisht Çela.

KRIZA – Ish-mesfushori thotë se pritet një tjetër Lushnjë këtë vit, derisa edhe infrastruktura nuk mungon dhe ka trajtimet me premio. E megjithatë, ai mendon se problem i klubit është ndryshimi i kontingjentit çdo sezon. “Këtë vit prisja një përmirësim në rezultatin sportiv, që deri më tani nuk ka ardhur. Skuadra zhvilloi fazë përgatitore, ka një fushë stërvitore të vetën, që më parë nuk e ka pasur.

Po trajtohet me rroga, dieta dhe premio, që jepen për çdo ndeshje për të stimuluar ekipin. Lushnja nuk është si disa skuadra që nuk luajnë në stadiumet e tyre apo si disa të tjera që stërviten në Tiranë dhe shkojnë në stadiumin e vet një herë në dy javë për të bërë ndeshjen. Problem ka mbetur mungesa e një sponsori e po ashtu edhe ndryshimi i kontingjentit. Nga viti në vit ndryshon grupi në masën 60-70%”, përfundoi ishkapiteni i lushnjarëve, Gentian Çela.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"