Lushnja zhvendoset në Përmet, firmosin Xhymerti dhe Zani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2021 | 18:31

Lushnja zhvendoset në Përmet, firmosin Xhymerti dhe Zani

Grumbullim dhe afrime, kanë qenë këto zhvillimet e së hënës te Lushnja. Skuadra ka lënë dje qytetin, për të nisur zyrtarisht fazën përgatitore. Gjatë paradites, të gjithë lojtarët që janë me kontratë me verdhejeshilët janë mbledhur para stadiumit “Roza Haxhiu”, për të marrë rrugën drejt Përmetit.

lushnjaa

Pas pushimit të drekës, ekipi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në stadiumin “Durim Qypi” të qytetit jugor. Për momentin, te Lushnja janë 23 futbollistë nën kontratë, pasi klubi lushnjar ka arritur marrëveshjen edhe me golashënuesin e Ilirisë, Ledjon Xhymerti, dhe mesfushorin gramshak të Partizanit B, Klahos Zani. Me verdhejeshilët ka udhëtuar edhe braziliani Hugo da Silva, që nuk luajti ndaj Besës për shkak të një dëmtimi në kavilje.

XHYMERTI – Sulmuesi durrsak, Ledion Xhymerti, ka firmosur një kontratë njëvjeçare me klubin lushnjar. Pasi ka luajtur me të rinjtë e Teutës dhe të Partizanit, e gjithë karriera e futbollistit që ende nuk i ka mbushur 22 vjeç, ka qenë tek Iliria e Fushë-Krujës. Me këtë ekip, ai ka luajtur tri sezone radhazi, dy prej të cilëve në Kategorinë e Parë dhe një në të Dytën.

Madje, me fanellën e Ilirisë ka arritur të shënojë edhe në “Roza Haxhiu” (29 shkurt 2020, Lushnja-Iliria 3-2).

ZANI – Mesfushori Klahos Zani është një tjetër futbollist i ri, që firmos me skuadrën e Lushnjës. Gramshaku muajin e ardhshëm do të mbush 22 vjeç.

Zani ka luajtur katër sezone radhazi me Gramshin në Kategorinë e Dytë, ndërsa nga janari i këtij viti ishte pjesë e Partizanit B. Deri tani te Lushnja kanë firmosur 23 futbollistë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"