Lushnja, vijnë Xhafa e Sefa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2015 | 17:31

Lushnja, vijnë Xhafa e Sefa

SefaQendërmbrojtësi lushnjar, Erion Xhafa, rikthehet zyrtarisht te Lushnja. Kështu, dje në mesditë ka pasur një takim midis futbollistit 29-vjeçar dhe drejtuesve më të lartë të klubit dhe në fund të negociatave palët i thanë “po” njëri-tjetrit. Menjëherë pas takimit, drejtori teknik i lushnjarëve, Altin Hysko, pohoi për “Panorama Sport” se Xhafa është një përforcim i rëndësishëm për Lushnjën. “Gjithçka është e përfunduar plotësisht. Xhafa është lojtar i yni dhe një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen sezonin e ri futbollistik.

Lushnja do të jetë plotësisht e konsoliduar, kur klubi të realizojë afrimet cilësore që janë piketuar nga ana jonë”, ka thënë shkurtimisht Hysko. Mbrojtësi Erion Xhafa, i cili ka luajtur për Lushnjën në sezonin e saj të fundit kur militonte në Kategorinë Superiore, në një bisedë për gazetën, u shpreh shumë i kënaqur që rikthehet pas një viti në “Roza Haxhiu”. Ai ka treguar se çfarë e bindi të vishte fanellën verdhejeshile, ndërsa ka treguar edhe synimet.

“Jam shumë i kënaqur që u riktheva te Lushnja pas një viti. Falënderoj drejtuesit që plotësuan kushtet e mia dhe do të jap maksimumin që të justifikoj besimin që më dha klubi. Kemi synime për këtë sezon, kur do të pretendojmë ngjitjen në Kategorinë Superiore, dhe për këtë do të motivohemi shumë”.

Sefa – Mund të quhet një ditë rikthimesh ajo e djeshmja te Lushnja, pasi edhe Fation Sefa i është bashkuar grupit verdhejeshil në Divjakë. Ka qenë trajneri Artan Bano, i cili e ka konfirmuar një gjë të tillë. “Më duhet të them që sulmuesi Fation Sefa është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të grupit. Veç kësaj, duhet të themi se do të jetë lojtar i Lushnjës për sezonin e ri. Ai ka pranuar të luajë për skuadrën e qytetit të tij. Sefa është një sulmues me potencial dhe afrimi më i rëndësishëm për ne. Në bashkëpunim me drejtuesit e klubit besoj se do të realizojmë dhe dy blerje tepër cilësore”, ka përfunduar Bano.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"