Lushnja vazhdon me huazimet nga elita, vjen “borxh” mesfushori i Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2023 | 9:53

Lushnja vazhdon me huazimet nga elita, vjen “borxh” mesfushori i Egnatias

Lushnja vazhdon me përforcimet. Ka ardhur një tjetër lojtar “borxh” nga Egnatia. Pasi siguruan shërbimet e mesfushorit Skerdilajd Levendit, këtij reparti i shtohet edhe një tjetër “ish” i rrogozhinasve. Bëhet fjalë për Geri Selitën, 21-vjeçarin që më herët ka luajtur edhe te Besa apo ekipi i parë dhe B i Partizanit.

geri selita

Kavajasi ka zgjedhur që të transferohet te lushnjarët për pjesën e dytë të këtij sezoni, atje ku pritet që të ketë më shumë hapësira dhe shanse për t’u promovuar.

Me rrogozhinasit në “Abissnet Superiore” mori vetëm 106 minuta nga 5 ndeshje. Gjithçka është mbyllur tashmë, pasi lojtari ka nënshkruar tashmë edhe kontratën.

Ai bëhet lojtari i tretë që vjen nga elita e futbollit, pas Levendit dhe Doksanit. Mesfushori zhvilloi seancën e parë stërvitore me verdhejeshilët dhe pritet që sot në orën 13:00 të debutojë në “Roza Haxhiu”, pasi është programuar një miqësore kundër Besës.

Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport” edhe sekretari i klubit, Mario Sula: “Kemi mbyllur gjithçka me Geri Selitën. Tani ai është futbollisti ynë”. Gjasat janë që të mos jetë prurja e fundit në këtë merkato dimri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"