Lushnja u ankua për sharjet, Nica: Ua falim 3 pikët, ju tregoj pretendentët e Grupit B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 23:15

Lushnja u ankua për sharjet, Nica: Ua falim 3 pikët, ju tregoj pretendentët e Grupit B

Devolli i tij po “mrekullon” në Grupin B të Kategorisë së Parë. Pas 4 javësh kampionat, udhëheq me 10 pikë, mundi Lushnjën kryesuese dhe nuk ka pësuar asnjë humbje.

stavri nica

Trajneri Stavri Nica, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon për atë që e bën skuadrën e tij kompetitive, jep një mendim për kampionatin dhe rivalitetin në grup, ndërsa pretendimeve të lushnjarëve për ndeshjen e fundit u përgjigjet me një batutë.

Profesor Nica, a e kishit parashikuar një nisje kaq të mbarë të sezonit?

Parashikime nuk kisha bërë, sepse nuk shtie fall… Di të them se grupi është stërvitur maksimalisht, ka punuar me seriozitet dhe gjërat u nisën mirë, edhe pse koha në Shqipëri është shumë e shkurtër për të formuar skuadrën. Pastaj varet se sa fat ke dhe sa di që të afrosh lojtarët që duhen.

Ju keni afruar disa brazilianë në skuadër gjatë merkatos. Sa janë shkrirë ata me grupin? A janë ingranuar plotësisht?

Akoma nuk janë ingranuar plotësisht, sepse vijnë nga një periudhë ku nuk janë stërvitur. Mota po kontribuon më shumë në ekip, sepse ai erdhi më shpejt në gjendjen e duhur, ndoshta ngaqë është bust i vogël. Vërtet po na shërben shumë. Edhe mbrojtësi i djathtë është një lojtar i mirë, pra janë lojtarë që kanë cilësi. Janë mbi të gjitha shumë profesionistë dhe këtë e kanë avantazh të madh. Janë shumë seriozë në regjimin sportiv, ia bëjnë hyzmetin punës në çdo detaj.

Kjo është edhe arsyeja që i afrova në ekip, sepse dua të futet kultura e profesionistit dhe e punës. Nuk është se i afrova që të arrijmë Superioren, por që të mësojmë si punohet si profesionist. Më parë ka pasur probleme dhe ka, për shembull në organizim, mënyra e lojës, por sikur po ndikon puna e bërë së fundi, pak unë e pak lojtarët profesionistë, që të bëhet futboll. Stërvitemi në Korçë, ku na janë krijuar kushte dhe ua dimë për faleminderit Takajt dhe kryebashkiakut të Korçës.

Ndeshja me Lushnjën tregoi në njëfarë mënyre që Devolli nuk është ekip i brishtë, pasi fituat me përmbysje…

Nuk mund të them se ekipi ka qenë i brishtë. Po punohet mirë, lojtarët i kapin detajet, edhe pse ka mangësi ende në zotërimin e topit, në përshtatje me njërin-tjetrin. Ka gjëra që kanë ecur mirë, ekipi luan ngushtë dhe shkurt, lojtarët janë agresivë për të marrë topin. Humbim shumë raste, por besimi vjen gradualisht.

Nga klubi i Lushnjës ka pretendime se është pritur keq në Bilisht, me sharje dhe fyerje…

Pretendime nga Lushnja… Po ua falim trepikëshin dhe të rrinë rehat. Janë alibi. Prapa nuk mund të flitet. Po dështove, duhet ta pranosh dhe kaq. Sharje në stadium ka. Trajneri i Lushnjës është Gjyla, unë nuk njoh njeri tjetër atje. Ai është miku im, është bashkëvuajtësi im, është një trajner profesionist. Ai e di si funksionon, pastaj nëse duam t’ua hedhim fajin të tjerëve, e bëjmë dhe jemi rehat, nuk na heqin nga puna.

Si ju duket Grupi B, ku ju bëni pjesë?

Rruga është e vështirë, janë ekipe shumë të forta. Ndeshje e vështirë është edhe kjo e radhës me Turbinën, që luan në fushën e vet dhe do të jetë agresive për të marrë pikët. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, sidomos tani në fillim të kampionatit, ku të gjithë duan pikë. Nuk janë vetëm pretendentët, janë edhe skuadrat e tjera. Lushnjën e njihja, e di çfarë ekipi ka, ka elementë me cilësi. Pikët janë aty dhe gara është shumë e fortë. Janë edhe Apolonia dhe Besa, që këtë sezon me duken më me “këmbë në tokë”. Janë pretendentë të fortë, por do të veçoja edhe Orikun, një skuadër shumë e fortë. Bravo i qoftë atij trajnerit, Sakajt. Ka një skuadër fantastike, kishe qejf ta shikoje, jo ta kishe kundërshtar.

A do të arrijë Devolli ta mbajë këtë ritëm?

Kjo është në dorë të atyre që na mbështesin, sepse duhet të jenë seriozë si tani dhe na mbështesin gjithë kohën. Po të ndodhë kështu, jam i bindur se do të jemi mirë. Po fitoi mentaliteti i mëparshëm, do të dështojmë dhe faji do të më mbetet mua. Duhet të jemi seriozë në vazhdimësi.

Tifozët po mbushin stadiumin në Bilisht, diçka e rrallë për momentin edhe në Superiore. Sa ju ndihmojnë ata?

Tifozët këtu e duan shumë futbollin, na mbështesin maksimalisht në stadium. Vijnë shumë, janë shumë dashamirës, ishin kështu edhe në Kategorinë e Dytë. Ishallah janë gjërat gjithmonë serioze, që të ngrihet klubi dhe ekipi edhe nga ana profesionale, që e gjitha kjo që po bëjmë të mos duket rastësi. Duhet mbështetje gjithmonë dhe nëse ndodh, njerëzit nuk do të ikin nga shkallët e stadiumit.

FATJON RUPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"