Lushnja, tifozët nxehin derbin. Gjyla rikuperon tre titullarë për Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 12:27

Lushnja, tifozët nxehin derbin. Gjyla rikuperon tre titullarë për Apoloninë

Lushnjarët po u japin dorën e fundit përgatitjeve për derbin me Apoloninë, që luhet nesër në stadiumin “Roza Haxhiu”. 

lushnja

Sefa dhe Alushi janë mungesat e konfirmuara të verdhejeshilëve, ndërsa Mone, Ervis Gjyla dhe Ruço kanë pasur një ecuri të mirë rikuperimi dhe pritet të jetë të gatshëm për trajnerin Ilir Gjyla. Për “Panorama Sport” ka folur mesfushori Okeljan Baze, i cili e sheh kështu derbin: “Ndeshja me Apoloninë e ka vetë mobilizimin. Pavarësisht se në çfarë kategorie luhet, ne e vlerësojmë këtë ndeshje maksimalisht dhe shpresojmë të mos ndikojnë faktorë të tjerë të jashtëm në rezultat. Duke iu referuar ndeshjeve të fundit, dua të them që nuk kemi pasur fatin në krahun tonë, por ka ndikuar edhe arbitrimi. Duam vetëm drejtësi dhe të fitojë më i miri. Jemi një ekip me më shumë histori se Apolonia, por kjo nuk duhet të kalojë në eufori. U bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin dhe të jetë fitorja në derbi pika e kthesës për ne”, është shprehur mesfushori qendror, Okeljan Baze.

ATMOSFERA – Derbi i Myzeqesë e ka rritur atmosferën sportive në qytetin e Lushnjës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gjyla luan në shtëpi pas 35 ditësh. Tifozët jo vetëm që i ka marrë malli, por dhe fakti që vjen Apolonia pritet të sjellë një 90-minutësh të nxehtë në shkallët e stadiumit “Roza Haxhiu”. Tifozët verdhejeshilë po organizohen për ta “djegur” stadiumin. Skuadrat myzeqare i ndan vetëm një pikë në tabelë, por tifozët duan të solidarizohen me të prekurit nga tërmeti, për sa më shumë të ardhura. Ishte iniciativa e tyre që gjeti miratimin e klubit lushnjar.

412

KRIZA – Lushnja dhe Apolonia kanë plot 11 vjet që nuk luajnë mes tyre në Superiore. Për herë të fundit, derbi i Myzeqesë në futbollin e madh i përket 11 prillit të vitit 2009. Në “Roza Haxhiu”, Lushnja që edhe atëherë drejtohej nga Ilir Gjyla, fitonte 2-1. Për verdhejeshilët shënonin Isidor Sekseni dhe Dorian Bubeqi, ndërsa për fierakët Arbër Dhrami. Më pas, të gjitha përballjet i përkasin Kategorisë së Parë. Pesë sfidat e fundit në “Roza Haxhiu” janë në baraspeshë të plotë. Një barazim dhe nga dy fitore për secilën skuadër.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"