Lushnja, specialistët i bëjnë apel bashkisë për Superioren: Duhen sponsorë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2017 | 13:59

Lushnja, specialistët i bëjnë apel bashkisë për Superioren: Duhen sponsorë!

Lushnja e futbollit e pret mes zhurmës dhe entuziazmit fillimin e kampionatit, që ndryshe nga vitet e tjera ka më shumë atmosferë për faktin e thjeshtë që verdhejeshilët do të luajnë në Kategorinë Superiore. Ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Lushnjës, Xhavit Sefa, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehet në lidhje me situatën aktuale dhe atë që duhet ndryshuar.

lushnja

“E rëndësishme është që Lushnja vjen në Superiore në një mënyrë të drejtë në aspektin sportiv. Kjo është pozitive në aspektin psikologjik, por në mënyrë sistematike Lushnja përballet në vështirësi me infrastrukturë. Një skuadër në Superiore që nuk ka fushë stërvitje është fatkeqësi. Ekipi që të stërvitet dhe të përgatitet do fushë.

Duhet ndërhyrë, ashtu siç duhet të bëhet stadiumi gati sa më shpejt që ekipi të luajë në fushën e tij. Mendoj që skuadra ka nevojë imediate për sponsor, për më shumë të ardhura financiare. Superiorja ka një kampionat të gjatë dhe sponsori zyrtar është i domosdoshëm. Lushnja ka një tifozeri të madhe që është një aksioner për skuadrën. Duhet bashkëpunim për të afruar në stadium mijëra tifozë të Lushnjës me çmime të arsyeshme të biletave dhe jo me hyrje falas”, theksoi ish-trajneri Xhavit Sefa.

Një tjetër specialist lushnjar, Kapllan Pepa, shprehet: “Rikthimi i skuadrës në Kategorinë Superiore ka sjellë atë entuziazmin e munguar në qytetin e Lushnjës. Përgjithësisht, ka një atmosferë të mirë. Mendoj se klubi ka bërë disa afrime të mira, në raport me buxhetin që ka. Duhen parë futbollistët nga Akademia dhe në rast se nuk gjenden, atëherë duhet diskutuar pse kjo Akademi nuk funksionon, pse nuk shkojnë lojtarë tek ekipi i parë.

Cilat janë arsyet? Nëse janë terrenet, pse nuk bëhen? Nga ana tjetër, mendoj që është detyrë e Bashkisë, e drejtuesve kryesorë të saj që të ketë aksionerë të tjerë në klubin e futbollit. Prania e sponsorëve të tjerë do ta ndihmonte shumë klubin e Lushnjës”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"