Lushnja shkëlqen në shtëpi, Lajthia: U çliruam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 23:54

Lushnja shkëlqen në shtëpi, Lajthia: U çliruam

Lushnjës i ecën në shtëpi. Ka marrë 7 nga 9 pikët e mundshme dhe as nuk ka pësuar gol në “Roza Haxhiu”, duke e kthyer fushën në një armë të fortë. Më shumë se mirë u shkoi edhe me Besëlidhjen, që e mundën në shifrat 3-0.

LUSHNJA 1

Protagonist i padiskutueshëm ishte mesfushori Xhonatan Lajthia, që realizoi dygolësh. 22-vjeçari është i lumtur për rrjetat, por më shumë për kthesën. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai shprehet: “Dygolëshi im i dedikohet stafit dhe shokëve për punën e palodhur, por shkon edhe për tifozët e Lushnjës, që na ndjekin në ndeshje dhe në stërvitje. Mendoj që në çdo takim kemi luajtur mirë. Kemi dominuar thuajse pjesën më të madhe të lojës, por fati nuk ka qenë me ne. Me Besëlidhjen, veç lojës së mirë, kishim edhe fatin të shënonim.

Dua të komplimentoj partnerin tim të mesfushës, Klahos Zani, për golin e bukur që shënoi. Shpresojmë të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, pasi i kemi të gjitha mundësitë. Të thyejmë akullin edhe me ndeshjet jashtë fushës, me gola dhe pikët që mungojnë. Është shumë shpejt për të folur, sepse Lushnja nuk e meriton dhe nuk do të jetë në këto pozicione. Jemi të bindur për këtë”, u shpreh mesfushori Xhonatan Lajthia. Dje, lushnjarët zbritën në fushë dhe nisën përgatitjet për transfertën me Bylisin.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"