Lushnja rigjen Cankën, sulmuesi: Jam gati, tregojmë kush është zot shtëpie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2023 | 0:07

Lushnja rigjen Cankën, sulmuesi: Jam gati, tregojmë kush është zot shtëpie

Lushnja nuk e ka më luksin të gabojë dhe sidomos në shtëpi. Këtë javë pret Korabin e vendit të katërt dhe vetëm fitorja u bën punë. Çdo rezultat tjetër do të thellonte krizën dhe zbehte shansin për mbijetesën.

CANKA

Verdhejeshilëve u rikthehet në formacion Mikel Canka, që mungoi në Vlorë për arsye dëmtimi. Tashmë është rikuperuar dhe paralajmëron se do të japë maksimumin për të ndihmuar ekipin. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 36- vjeçari tregon se ka ardhur koha të tregojnë se kush është zot shtëpie.

Jeni kthyer në stërvitje, por a jeni gati për të luajtur?

Çdo gjë është në rregull tani. U rikuperova plotësisht dhe jam në 100%-shin tim. Jam i gatshëm për të dhënë më të mirën në këtë ndeshje.

Këtë javë prisni Korabin, si e parashikoni këtë përballje?

Për mua të gjitha sfidat e mbetura të sezonit janë ndeshje me rëndësi. Duhet të japësh maksimumin për të marrë pikët e plota. Kjo është një ndeshje, që të gjithë bashkë duhet t’ia dalim për ta fituar. Të japim shpirtin në fushë nga unë i pari dhe të gjithë me radhë. Nuk duhet të ketë më justifikime.

A ndiheni të favorizuar nga faktori fushë?

Tani është momenti të tregojmë se në shtëpinë tonë jemi të zotët për ta fituar sfidën këtë të shtunë.

Pse mendoni që keni shanse?

Mendoj se jemi të përgatitur për këtë ndeshje. Korabi është një ekip i fortë dhe me lojtarë të mirë në përbërje. E tregon qartë pozicioni komod në renditje. Besoj se për ne është më e rëndësishme sesa për Korabin. Ne luftojmë për mbijetesë, ndërsa ata për Superioren. Por e shoh shumë të vështirë që ekipi i Korabit të ngjitet direkt këtë sezon. Kam respekt për ta, por duhet t’i mundim. Nuk kemi më rrugë tjetër për shpëtimin.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"