Lushnja pret Orikun në Kupë, Gjyla: Është provë para derbit me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2019 | 14:59

Lushnja pret Orikun në Kupë, Gjyla: Është provë para derbit me Apoloninë

Lushnja është gati për Orikumin. Kupën e Shqipërisë nuk e kanë objektiv, por Ilir Gjyla e ka marrë më shumë se seriozisht këtë ndeshje. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai thekson se ky 90-minutësh do t’i shërbejë si provë para derbit me Apoloninë.

gjyla

“Klubi nuk e ka objektiv Kupën e Shqipërisë. Por, kjo nuk do të thotë që po e marrim lehtë. Përkundrazi, do të na shërbejë shumë. Edhe pse nuk mund të them që do të jetë si miqësore. Meqenëse kemi bërë vetëm një ndeshje në kampionat, do të na vlejë shumë për të parë grupin, por edhe disa futbollistë të tjerë. Skuadra në fund të fundit ka 25 futbollistë dhe jo vetëm 11. Ndaj, është shansi që të provohen edhe të tjerët. Mendoj se nesër (sot) është momenti për t’i futur në lojë, ata që nuk ke mundësi t’i aktivizosh në ndeshje kampionati. Jo se nuk e meritojnë. Futbolli luhet me 11 dhe normal që duhet të përzgjedh ata që më bindin. Do ta marrim seriozisht si ndeshje, si një ballafaqim, por e përsëris, objektiv nuk e kemi. Përderisa djersitesh, një rezultat pozitiv pse të mos e marrësh…”, është shprehur tekniku i lushnjarëve.

lushnja

DERBI

Vëmendja e madhe është te derbi i së shtunës me Apoloninë, që do të luhet në “Adush Muça” të Ballshit. Trajneri tha se skuadra duhet të nxjerrë mësime nga 20 minutat e para me Shënkollin dhe të japë maksimumin për të dalë pozitivisht nga superndeshja me fierakët. “Për të qenë i sinqertë, nuk e kam parë skuadrën e Apolonisë, nuk e njoh. Vetëm Branicën e njoh. Por, kjo nuk do të thotë se nuk e respektojmë si skuadër. Ne jemi pretendentë dhe takimi i Kupës do të na shërbejë për të shtunën. E kam thënë edhe më herët, nuk jemi mbledhur asnjëherë si klub dhe nuk më kanë vënë si objektiv futjen apo jo në Superiore.

Por, ne si staf e si profesionistë, patjetër që kemi synime. Derisa kemi një përbërje të shëndoshë, edhe mundësitë i kemi. Por, në elitë nuk futesh me fjalë, po me punë dhe duke dhënë maksimumin në fushën e lojës. Dhe, të jesh më i miri. Në momentin që je më i miri, hyn në Superiore. Po nuk qe më i miri, nuk hyn dot. E thashë më parë atë fjalën për skuadrën e Apolonisë, jo për të fyer, por për t’u thënë futbollistëve të mi: ‘Edhe pse keni emra, nuk janë asgjë’. Emrat i kishim edhe në 20 minutat e para të ndeshjes me Shënkollin dhe kjo skuadër na erdhi tri herë në portën tonë, për të na bërë gol. Pastaj, u kujtuam ne. Mirëpo, futbolli nuk është kështu. Ndoshta qëllon herën e parë që nuk pëson. Me ekipe të tjera pëson dhe nuk e nxjerr dot më. Për këtë duhet t’i vëmë gishtin kokës. Futbollistët, edhe ne si staf, që të riparojmë atë 20-minutësh të javës së parë”, përfundoi Gjyla

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"