Lushnja pret Korabin në “Roza Haxhiu”, Dalipi: Kujdes, vetëm fitorja na nxjerr nga sikleti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2023 | 12:00

Lushnja pret Korabin në “Roza Haxhiu”, Dalipi: Kujdes, vetëm fitorja na nxjerr nga sikleti

Klevis Dalipi sheh vetëm fitore kundër Korabit. E pranon vështirësinë dhe jo vetëm prej forcës së kundërshtarit, por prej presionit që krijon vendi i parafundit në renditje. Trepikëshi ndoshta nuk i shpëton direkt, por u jep “oksigjen”. I këtij mendimi është edhe trajneri, gjë që e deklaron për “Panorama Sport”.

Klevis Dalipi

Ai kërkon një skuadër të qartë në manovër dhe të kujdesshme në lojë.

“Ndeshje shumë e vështirë kjo. Jo vetëm për nga ana teknike, por edhe prej pozitave tona. Jemi të dënuar për të kërkuar fitoren. Ne na nxjerr nga kjo situatë vetëm trepikëshi. Korabi meriton respekt për çfarë ka bërë në këto 4 vite në Kategorinë e Parë, por nuk ka vend për mbivlerësim. Mjafton të kontrollojmë emocionet, të jemi të qartë në manovrat tona dhe të kemi kujdes. Nga dëshira e madhe mund të bëjmë gabime. Kemi dy mungesa. Andoni nuk është gati për lojë për fat të keq, duke na krijuar siklet në mesfushë. Hallet na shtohen me Doksanin të dëmtuar. Nuk do ta kemi për 2-3 javë, ndërsa Canka do të jetë dhe është shumë mirë fizikisht. Kështu që do të jetë i gatshëm për nesër (sot). Besoj se tani ka ardhur momenti, ndaj dhe unë i mbështes të gjithë djemtë e skuadrës që kam në përbërje. Të gjithë do të luajnë, do t’u vijë të gjithëve momenti, sikurse tani pasi ka dëmtime, ka dënime me kartonë. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Në momentin e duhur do të aktivizohen dhe performojnë për objektivat e skuadrës”, u shpreh si fillim Dalipi.

Më pas ai shtoi: “A e kemi forcën të ndalim Korabin? Nuk mund ta them dot këtë. Ajo është e bazuar nga rrethanat, nga mënyra se si ndërton skuadrën. Kurrë nuk kam dyshuar te grupi im, sepse ne këta lojtarë kemi dhe së bashku mund të dalim nga ky siklet. Nuk dua të gjej alibi, por ka ardhur momenti që të gjithë të tregojnë veten. Dua që ata të jenë edhe të qartë. Jo vetëm të kenë dëshirë. Dëshira dhe grinta do të jenë të pranishme, por duhet edhe inteligjencë në lojë”, përfundoi elbasanasi i stolit të Lushnjës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"