Lushnja “përforcohet” para Pogradecit, Gjyla: Fitojmë, i frikësohem vetëm gjykimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2020 | 11:08

Lushnja “përforcohet” para Pogradecit, Gjyla: Fitojmë, i frikësohem vetëm gjykimit

Lushnja “përforcohet” para Pogradecit. Verdhejeshilët kanë rikthime në grup, por edhe në pankinë për javën e 6-të. Ilir Gjyla do të jetë në stol sot, pas dy ndeshjeve që mungoi prej Koronavirusit. Trajneri beson te pikët e plota kundër liqenorëve, ndonëse hapur e thotë që i druhet gjykimit.

gjyla

“Skuadra është e kompletuar për këtë sfidë. Gati 95% janë të gatshëm. Vetëm Musaku dhe Luis da Silva nuk luajnë, pasi të tjerët nesër (sot) do t’i kem nën urdhra. Kjo na ngroh, sepse në 2-3 ndeshje kemi luajtur me 50% të skuadrës, ndoshta edhe me më shumë. Nuk mbanim mend kush na mungonte. Skuadra është e përgatitur, pasi ka punuar me përkushtim gjatë javës së kaluar dhe në fillimjavë. Ajo që më jep shpresë, është përkushtimi që shfaqin të gjithë në fushën e stërvitjes. Mundohen në 100 për qind të tyre dhe të zbatojnë detyrat e dhëna. Lushnja ka një ekip që dëshiron të punojë dhe fitojë. Pastaj, se si merr rrjedha e ndeshjes… është gjë tjetër. Ndoshta kundërshtari paraqitet pak më mirë, të penalizon një gabim apo thjesht nuk të ecën. Me këtë mobilizim që kemi, objektiv është trepikëshi”, deklaroi fillimisht Gjyla për “Panorama Sport”.

Respekton çdo skuadër, por nuk ka frikë asnjë kundërshtar. E vetmja gjë që e frikëson trajnerin është gjykimi. “Kam konsideratë për Pogradecin, ashtu si për çdo skuadër. Edhe Elbasanin e respektova, që nuk ka asnjë pikë dhe ka 10 vjet që vuan. Ndaj, kërkoj të na kthehet i njëjti respekt, sa i takon futbollit. Pogradeci është një skuadër simpatike, që luan mirë. E them këtë, por nuk do të thotë se e kam frikë. Absolutisht jo. Këtë s’e them unë, por edhe skuadra ime. Ajo që kam frikë unë është vetëm gjykimi. Duam një gjykim të drejtë. Nuk jemi të kënaqur nga dy ndeshjet e fundit, me Tomorin dhe me Elbasanin. Kemi rezervat tona. Kam frikë gjykimin dhe jo gjyqtarët. Ky gjykim mund të mos jetë korrekt, me dashje ose pa dashje. Nuk jam vetëm unë ai që ka frikë gjykimin. Javë pas jave gjykimi është problem për të gjithë trajnerët. Po e them në kuptimin e gjerë të fjalës”, përfundoi Gjyla.

forma

MUNGESAT – Kapiteni Dionis Musaku do të mungojë në ndeshjen e sotme. Para pak ditësh, babai i tij u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare. “Kam kaluar ditë shumë të vështira. Nesër (sot) do të stërvitem vetëm paradite, ndërsa pasdite do ta shoh ndeshjen nga tribuna. Mbështes ekipin tim drejt fitores”, tha kapiteni Musaku. Një tjetër mungesë do të jetë edhe ajo e brazilianit Luis da Silva, që është i dëmtuar gju.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"