Lushnja për surprizën e radhës në Kukës, fitorja e fazës së dytë sjell frymëzim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2018 | 18:51

Lushnja për surprizën e radhës në Kukës, fitorja e fazës së dytë sjell frymëzim

Lushnja ka nisur përgatitjet në kuadrin e ndeshjes me Kukësin, nën entuziazmin e rezultatit pozitiv që morën me Partizanin. Skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla ka marrë besimin se mund të fitojë pikë edhe në vazhdimësi. Verdhejeshilët morën një pikë ndaj të kuqve pas 12 humbjeve radhazi, por fitorja mungon që nga 9 dhjetori i vitit të kaluar, pikërisht kundër kundërshtarit të radhës, Kukësit. Si për koincidencë, lushnjarët fitonin 3-1 në “Zeqir Ymeri” pesë muaj më parë. Ky rezultat frymëzon ekipin e Gjylës për një tjetër surprizë ndaj kampionëve në fuqi, që aktualisht pozicionohen të dytët.

Lushnja

BEJTE – Një nga lojtarët më të mirë të momentit te Lushnja, portieri Ibrahim Bejte, për “Panorama Sport”, u shpreh: “Në dy-tre javët e fundit ekipi është prezantuar mirë. Mendoj se kemi bërë një lojë të pëlqyeshme. Kemi bërë lojëra të mira si me Flamurtarin dhe Kamzën, por vetëm ndaj Partizanit arritëm te rezultati pozitiv. Duke parë që kemi edhe elementë të rinj në fushë, është më shumë se pozitive për Lushnjën.

Do të stërvitemi me të njëjtin seriozitet edhe për ndeshjen e radhës me Kukësin. Gjërat e mira ia lëmë vazhdimësisë, për ta respektuar kampionatin me rezultate pozitive. Loja ime në ngritje? Jam stërvitur mirë pas atij dëmtimi shumë të tmerrshëm që më la një vit jashtë nga aktiviteti. Kam kapur ritmin, formën e mirë. Me shpresë te Zoti të vazhdoj sa më gjatë. Pjesë e projektit? Gjithmonë, Lushnja është zgjedhja ime e parë. Është ekipi i zemrës sime”.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"