Lushnja për rekord, 44 vite pa fituar ndaj Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2017 | 16:51

Lushnja për rekord, 44 vite pa fituar ndaj Apolonisë

Lushnjarët vijojnë të përgatisin derbin me Apoloninë që do të luhet në një moment shumë delikat të renditjes. Edhe pse kanë pasur një ecuri të jashtëzakonshme, verdhejeshilëve u duhen suksese të tjera, pasi Bylisi skuadra e vetme që rivalizon është -6. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Klejdis Branica ka folur për këtë përballje:

lushnja

“Kemi një ndeshje të vështirë, pasi faza e dytë po mbyllet dhe luhet për pesëshen e parë. Lushnja është në formë të mirë dhe këtë e tregon mënyra se si e kemi nisur pjesën e dytë të sezonit. Mendoj se duke dhënë maksimumin do të marrim rezultatin pozitiv”, është shprehur Branica, autor i pesë golave në këtë sezon për lushnjarët dhe që është një nga pikat e forta në skuadrën e drejtuar nga trajneri Bano.

Statistika

Derbi i Myzeqesë midis Apolonisë dhe Lushnjës është shoqëruar gjithnjë nga një rivalitet shumë i fortë si në fushën e blertë, ashtu edhe në tribuna. Lushnjës së këtij sezoni i duhet të thyejë një tabu të madhe, pasi verdhejeshilët kanë 44 vjet që nuk fitojnë në Fier. Ka qenë 17 shtatori i vitit 1972 kur në atë kohë skuadra me emrin Traktori, që ishte sinonim i Lushnjës së sotme, në javën e tretë të kampionatit ka mundur 1-0 Apoloninë në Fier, me golin e Idajet Haxhiut.

Pas këtij suksesi, lushnjarët nuk kanë shkuar më shumë se barazimi në “Loni Papuçiu”, përfshi edhe një barazim në fushë asnjanëse (Berat), në sezonin ’98-’99. Ekipi i Banos pritet që të shfrytëzojë momentin e mirë që po kalon për të marrë një fitore pas një kohe të gjatë ndaj fierakëve që janë një ekip cilë- sor, por që kanë lënë pikë të shumta gjatë këtij sezoni.

Stërvitja

Nën drejtimin e trajnerit Bano, myzeqarët kanë vazhduar përgatitjet për supersfidën e kësaj jave. Tekniku ka kërkuar nga skuadra përqendrim të lartë, ndërsa atmosfera ka qenë mjaft e mirë nga të gjithë futbollistët. Ata kanë premtuar se do të bëjnë maksimumin, për të fituar në mënyrë që të mos i japin mundësi Bylisit të afrohet më shumë në renditje. Duke parë ecurinë e mirë të ekipit, pritet që në shkallët e stadiumit të ketë edhe një numër të madh tifozësh në mbështetje të ekipit, pasi dy qytetet janë shumë afër mes tyre.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"