Lushnja, Pepa kërkon t’i kthejë reston Tomorit: Me Cankën jemi si vëllezër, ta nisim mbarë në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 23:09

Lushnja, Pepa kërkon t’i kthejë reston Tomorit: Me Cankën jemi si vëllezër, ta nisim mbarë në transfertë

Brunild Pepa, një ndër sulmuesit me eksperiencë në radhët e Lushnjës, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, pohoi se skuadra është e motivuar për ta nisur mbarë sezonin e ri. I rikthyer sërish te Lushnja, ai flet për sfidën me ishskuadrën e tij, Tomorin.

Pepa Lushnja

Kampionati i Lushnjës do të nisë nga Berati dhe verdhejeshilët nuk duan të kthehen pa pikë. Vjet Pepa ndëshkoi skuadrën e vendlindjes, por kësaj radhe kërkon që t’u kthejë reston beratasve në të mirë të Lushnjës.

Brunild, ishit përcaktues në sfidën e vitit të kaluar me një dygolësh për Tomorin. Si e shikoni tani që ndryshuat skuadër?

Isha përcaktues në fitoren e një viti më parë dhe kjo do të thotë që unë jam një profesionist. Luftova për ngjyrat që mbroja, pavarësisht se skuadra që kisha përballë ishte ajo e vendlindjes. Arrita të shënoj dy gola dhe t’i jap fitoren Tomorit. Shpresoj që këtë vit të fitoj dhe të triumfoj me Lushnjën. Duam ta nisim mirë sezonin. Është java e dytë e kampionatit, por për ne është ndeshja e parë. Shpresoj të kemi sukses. Edhe pse në Berat kam shumë miq e shokë, gjithmonë kërkoj të fitojë ekipi im.

Si e shikoni Lushnjën e këtij edicioni, krahas pretendentëve?

Lushnjën këtë sezon e shikojmë mjaft të motivuar duke filluar nga lojtarët, stafi dhe trajneri. Kemi bërë një punë të mirë deri tani. Duhet edhe pak kohë, sepse kemi shumë lojtarë që janë afruar në ekip. Besoj se nga ndeshja në ndeshje kemi për t’u rritur si skuadër, pasi kemi një grup mjaft të mirë.

Sa e njihni Tomorin e këtij edicioni, si dhe a e ndoqët ndaj Besës për të krijuar ide të qarta për kundërshtarin?

Po, e njoh Tomorin, ka një ekip që di të luajë mirë futboll. Ka dhe një trajner të mirë. Ndeshjen e Tomorit kundër Besës e pashë dhe shfaqën cilësi. Stafi dhe të gjithë ne e kemi një ide për Tomorin. Të gjithë e pamë ndeshjen e parë të kundërshtarit tonë. I dimë ku i kanë pikat e forta dhe ato të dobëta, që mund t’i sulmojmë dhe mund t’u shënojmë gol.

Si duket sulmi i Lushnjës? Mendoni se me Cankën sërish do të jetë dyshe suksesi?

Me Cankën jemi vëllezër. Shumë kohë e kalojmë bashkë me njëri-tjetrin. Ia dimë lojën njëri-tjetrit. Kemi luajtur shumë vite bashkë te Lushnja. Kemi luajtur bashkë edhe te Tomori. E di që do të jemi një dyshe shumë e fortë, por e duam edhe ndihmën e skuadrës. Pa të gjithë ekipin, asnjë lojtar nuk bën dot i vetëm. Ne do të japim maksimumin tonë dhe shpresoj të bëjmë sa më shumë gola për ekipin e Lushnjës. I uroj dhe Cankës një vit të mbarë e të shikojmë një dyshe shumë të mirë.

Besoni në marrjen e një rezultati pozitiv. Ndonëse shpesh përballjet mes Lushnjës dhe Tomorit konsiderohen si derbi?

Ne i kemi idetë e qarta për ndeshjen me Tomorin. E di që kemi përballë një skuadër shumë të mirë, por e dimë edhe forcën tonë. Shpresoj që të bëhet një ndeshje e bukur, të kënaqen të gjithë të pranishmit që do të jenë aty. Le të jetë një ndeshje për t’u parë nga shumë njerëz. Kur ka shumë tifozë, ndeshja bëhet edhe më e bukur.

Pepa Lushnja

Shpresoj që të jenë sa më shumë njerëz në stadium, si nga Berati dhe Lushnja. Dihet që ne shkojmë shumë me tifozët e Tomorit, me qytetarët e Beratit. I kemi miq. Të bëhet një ndeshje e bukur. Në fund ta meritojë ai që do të derdhë më shumë djersë dhe që do të luajë më mirë. Kështu që i uroj edhe ekipit të Tomorit suksese në këtë sezon të ri.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"