Lushnja pa krahë me Ilirinë, mesfushori Alushi: Ruajmë kreun deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 20:27

Lushnja pa krahë me Ilirinë, mesfushori Alushi: Ruajmë kreun deri në fund

Lushnja e mbyll fazën e parë të kampionatit me transfertën e Fushë-Krujës. Verdhejeshilët shkojnë në stadiumin “Redi Maloku” pas 7 sezonesh, për herë të fundit ata kanë luajtur aty më 30 mars 2013 dhe kanë fituar 0- 1, me gol të sulmuesit Mikel Canka.

lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla po përgatitet për një tjetër fitore, si e vetmja mundësi për të ruajtur kreun e Grupit B dhe për të avancuar drejt Superiores. Pranë lushnjarëve është Pogradeci me vetëm dy pikë më pak, më pas vjen Apolonia. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori kuçovar, Ergys Alushi, shprehet se Lushnja është në gjendje ta ruajë kryesimin deri në fund.

“Ekipi vijon me përgatitjet dhe ne futbollistët jemi të përqendruar në punën tonë, në detyrat që na jep stafi teknik. Po stërvitemi fort, që në fundjavë të marrim rezultatin më të mirë. Kuptohet që Lushnja çdo ndeshje e luan për fitore, sepse synon të ruajë vendin e parë dhe të ngjitet në Superiore, por asnjë kundërshtar nuk është i lehtë. Besimi në ekip është i madh dhe besoj se do t’ia dalim me sukses ndaj Ilirisë, duke ecur të sigurt drejt elitës”, është shprehur 33-vjeçari.

GJENDJA

Lushnja ka të konfirmuar për ndeshjen me Ilirinë mungesën e mbrojtësit të djathtë, Renato Dervishi. Ai nuk luan për arsye kartonësh, por në dyshim për trajnerin Gjyla është edhe Ledion Ruço. Futbollisti i linjës së majtë ka dëmtuar indet e shputës së këmbës dhe për këtë arsye ka munguar disa ditë në stërvitje, si dhe në miqësoren e fundjavës që shkoi me Bylisin. Për “Panorama Sport”, mbrojtësi 28-vjeçar tha se sot mund të rikthehet në stërvitje, pasi ka bërë terapi, por mbetet në dyshim për transfertën e Fushë-Krujës. Një tjetër mungesë e ditur tashmë është ajo e sulmuesit dhe kapitenit Fatjon Sefa, rikthimi i të cilit kërkon kohë të gjatë, pasi veterani ka një dëmtim serioz dhe i duhet të bëjë ndërhyrje kirurgjikale. Lushnja ka pasur mungesa javët e fundit, por ia ka dalë të fitojë dhe të mbajë vendin e parë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"