Lushnja pa asnjë sulmues, flet Gjyla: Nuk jemi as në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2020 | 10:16

Lushnja pa asnjë sulmues, flet Gjyla: Nuk jemi as në…

Të shtunën pasdite, në stadiumin “Roza Haxhiu”, Lushnja zhvilloi një miqësore me të rinjtë e Shënkollit, ku barazoi 1-1. Golat u shënuan në fund të pjesës së parë, së pari nga Rediol Ademi për vendësit dhe më pas barazoi Mateo Maca për miqtë.gjyla

Më parë lushnjarët kishin humbur një 11- metërsh, teksa mesfushori Melis Haxhiu goditi traun e portës shënkollase. Te Lushnja munguan sulmuesi Orges Xeka, i dëmtuar në miqësoren me Përmetin, si dhe mesfushori Ergys Alushi, gjithashtu i dëmtuar. Në pjesën e dytë te lushnjarët u aktivizua qendërmbrojtësi tiranas, Malion Lami, i dalë nga shkolla e Dinamos, ndërsa sezonin e kaluar e mbylli me Luzin 2008.

GJYLA – Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri Gjyla u shpreh: “Personalisht, por edhe si staf, mendojmë se skuadra është në rrugë të mbarë. Nuk shikojmë rezultatin. Kemi një mungesë shumë të madhe, nuk kemi asnjë sulmues. Ne punojmë mirë, nuk rrezikojmë asnjëherë prapa, Lushnja luan gjithnjë mbi gjysmën e fushës së vet dhe kjo është pozitive.

Qarkullojmë, edhe pse nuk jemi as në 50% të formës, sepse deri të premten kemi marrë ngarkesë. Shikojmë mënyrën e të luajturit. Kemi punë për të bërë, pasi lojtarët akoma nuk janë kuptuar me njëri-tjetrin. Si staf, por edhe me miqtë tanë, me menaxherë të ndryshëm, jemi të angazhuar për të afruar patjetër sulmues cilësorë. Dedej është vërtet një talent dhe presim nga ai, por nuk mund ta mbajë skuadrën.

Ai duhet të vazhdojë kështu. Nuk dua t’ia di për rezultatin, as më bën përshtypje. Po u them futbollistëve dhe tifozëve se nuk është bërë formacioni, sepse jemi duke parë. Duhet të riparojmë dhe më shumë na duhet sulmi”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"