“Lushnja nuk më bind”, ish-kapiteni i verdhejeshilëve: Parashikoj kampionat të fortë, duhet fushë stërvitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 18:51

“Lushnja nuk më bind”, ish-kapiteni i verdhejeshilëve: Parashikoj kampionat të fortë, duhet fushë stërvitore

Ish-kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela, një nga simbolet e futbollit verdhejeshil, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ka theksuar se paralizimi i futbollit ka bërë që të dëmtohen të gjithë pasionantët e kësaj loje. Çela pohon po ashtu se Lushnja e ka vlerësuar garën dhe po përgatitet prej kohësh, por e pret një kampionat shumë i vështirë.
Cela Gentian, kapiteni i Lushnjes
Gentian, si e shikoni situatën që po kalon futbolli sot?
Është një situatë e rrëmujshme, ku shumë gjëra janë të paqarta. Shtyrja e kampionatit të Kategorisë së Parë nuk po njeh limite, futbolli është paralizuar, duke dëmtuar të gjithë pasionantët e tij. Po lëmë edhe tetorin dhe skuadrat prej muajsh janë në fushë, përgatiten, luajnë ndeshje testuese, lojtarët djersinin, kanë ambiciet e tyre, por gara nuk nis.

Edhe morali duket sikur ka rënë shumë…
Futbollistët dhe stafet u lodhën duke pritur. Nuk dinë, nëse do të luajnë apo nuk do të luajnë, kur do të luajnë… Ka rënë ana psikologjike sepse pati fillimisht një ndërprerje për shkak të pandemisë që shkoi 3 muaj, tani kemi një tjetër ndërprerje më shumë se 3 muaj. Kaq gjatë lojtari nuk luan kur ka ndonjë dëmtim të rëndë. Nga marsi e deri më tani Lushnja ka bërë vetëm 6 ndeshje dhe është e kuptueshme çfarë dëmi merr futbolli nga mungesa e aktivitetit.
Lushnja
Lushnja është nga skuadrat që ka dalë më shpejt në fushë, si e shihni gjendjen e saj?
Lushnja është një skuadër që përgatitet prej dy muajsh e gjysmë, është gati për garën, puna është kur do të nisë ajo. Ka një kontigjent të ri, me lojtarë me dëshirë për të luajtur, por kjo nuk mjafton sepse duhen 2-3 lojtarë që të bëjnë diferencën. Të shikojmë kur të nisë kampionati çfarë do të na japë kjo skuadër, kush do të spikasë dhe si do jetë ecuria. Parashikoj një kampionat të fortë dhe të vështirë për skuadrën e Lushnjës.

Në Lushnjë mbeten problem kushtet e stërvitjes…
Insistoj fort për një fushë stërvitore për skuadrën sepse skuadra e parë dhe gjithë të tjerat pas saj nuk kanë fushë për t’u stërvitur. Kjo sjell mungesë të elementit edhe si numër, pasi një prind duke parë kushtet që ka Lushnja, heziton ta çojë fëmijën e tij në futboll, nuk do që ai të stërvitet në baltë dhe në pluhur. Do të shkojë edhe më keq se kaq, nëse bashkia nuk ka një plan të qartë dhe konkret për një investim në infrastrukturë. Nëse investohet vitin e ardhshëm në një fushë stërvitore do të ishte pika e kthesës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"