“Lushnja nuk ka dalë ende në shitje, asnjë rrezik me stadiumin”, kryebashkiakja Sefa “ngrin” Canajn: Po mendojmë për akademinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2022 | 23:06

“Lushnja nuk ka dalë ende në shitje, asnjë rrezik me stadiumin”, kryebashkiakja Sefa “ngrin” Canajn: Po mendojmë për akademinë

Futbolli do të vazhdojë të jetë pronë e Bashkisë Lushnjë edhe për ca kohë. Zyrtarisht nuk ka të interesuar, ndonëse akoma nuk ka nisur procedurat e shitjes. Është kryebashkiakja që sqaron gjithçka po ndodh për këtë çështje, në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”.

ERISELDA SEFA

Presidentja paralajmëron se nuk ka asnjë rrezik për investimin që do të bëhet në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe skuadra do ta nisë sezonin 2022-2023 në shtëpi. Paqartësi të mëdha ka edhe për stolin, ndërsa e para e qytetit “ngrin” trajnerin Agim Canaj. As që po mendohet për ekipin e parë, pasi prioritet momentalisht është akademia.

Zonja presidente, investimi në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu” po vonon. A rrezikon Lushnja që të luajë në fushë asnjanëse në nisje të sezonit të ardhshëm?

Investimi do të fillojë shumë shpejt dhe në momentin që do të nisë kampionati, stadiumi do të jetë në dispozicion të ekipit të parë.

Një tjetër temë delikate për Lushnjën është privatizimi. Ku jeni me këtë proces?

Ende nuk ka filluar si procedurë. Jemi në proces, duke parë aktet e nevojshme ligjore, që ta bëjmë si duhet procedurën. Deri tani nuk ka pasur kërkesa nga investitorë apo donatorë të ndryshëm.

Mos ka ndonjë hezitim nga fakti që sipas statutit jepen 49% të aksioneve?

Këtë gjë nuk mund ta them për sa kohë nuk është se kam pasur ndonjë donator, i cili ka qenë i interesuar për të shpjeguar elementet përkatëse të aksioneve që janë. Le të shpresojmë që pas gjithë këtyre ndërhyrjeve në infrastrukturë, mbase do të ketë edhe donatorë të interesuar për këtë proces.

OK, po në shitje a ka dalë klubi?

Jo, ne nuk i kemi kryer procedurat sepse po të ishin kryer ato, do ta kishim miratuar fillimisht në Këshillin Bashkiak. Më pas do të bëheshin shpalljet publike sipas ligjit. Por veprimi i parë është marrja e miratimit në Këshillin Bashkiak.

Pra, Lushnja aktualisht nuk është në shitje…

Jo. Aktualisht vazhdon të jetë 100% kapitali i institucionit të bashkisë.

Të kalojmë pak tek ekipi. Trajnerit Agim Canaj i ka skaduar kontrata më 31 maj, a do ta rikonfirmoni?

Kjo është një gjë që do t’i përkasë së ardhmes. Aktualisht jemi duke ndërtuar një strategji se si të ringremë ekipet e moshave, sepse ne duhet të fillojmë të prodhojmë talente si dikur. Ky është pikësynimi im kryesor. Patjetër që një vëmendje shumë e madhe do t’i jepet ekipit të parë, sepse sportdashësit e Lushnjës duan një ekip të një niveli të lartë. Ne do të përpiqemi maksimalisht që ta arrijmë këtë.

Po mendoni për një trajner tjetër nga trajningu lushnjar?

Nuk kam filluar akoma të mendoj për ekipin e parë. Aktualisht, jam duke hartuar një strategji për akademinë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"