Lushnja, një “mal” me mungesa para Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2018 | 17:57

Lushnja, një “mal” me mungesa para Partizanit

Lushnjarët vijojnë të përgatisin ndeshjen me Partizanin, që do ta luajnë ditën e shtunë në stadiumin “Roza Haxhiu”. Edhe për këtë ndeshje, Lushnja do të ketë disa mungesa. Veç Cankës, Bufasit dhe Gentian Çelës, së fundmi janë dëmtuar edhe Ruço me Branicën. Me ndryshimin që Branica mund të arrijë të rikuperohet deri ditën e shtunë. Lushnjarët luajnë thjesht për të mbyllur kampionatin, pasi nuk njohin rezultatin pozitiv prej 12 ndeshjesh radhazi.

Problematika – Ajo që i pengon shumë lushnjarët është se ata nuk mund të zhvillojnë një javë të rregullt stërvitore dhe të përgatisin ndeshjen si gjithë skuadrat e tjera të Superiores. Lushnja nuk ka terren për stërvitje dhe vetëm po dëmton lojtarët.

luftetari lushnja

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, shprehet: “Mendoj që ky terren do të jetë dhe duhet patjetër. Asnjëherë nga unë nuk do të dëgjoni që po mundemi sepse nuk kemi fushë. Na duhet për të punuar. Jo vetëm për të punuar ekipi i parë, por edhe ekipet zinxhir. Po të shikojmë me vëmendje ekipet zinxhir nuk i kemi fort mirë. Si do t’i kemi mirë me këto terrene? Normale kjo! Problemi i fushës nuk është thjesht që ekipi i parë stërvitet në këto kushte mizerable. Problemi i fushës është më i gjerë. Është më kompleks.

Problemi i fushës është në total, për të rinjtë, paratërinjtë, fëmijët. Habitet e gjithë Shqipëria që Lushnja me moshat luan në Kategorinë e Parë. Kjo është komplekse dhe nuk duhet marrë se Lushnja po mundet sepse nuk ka fushë. Jo. Fusha i duhet Lushnjës. Projekti është afatgjatë dhe nuk mund të jetë 6- mujor. Për projektet më të mëdha na duhet terreni dhe të gjitha bashkë”, u shpreh trajneri i lushnjarëve, Ilir Gjyla.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"