Lushnja në vështirësi, “lutja” e Agim Canajt: Uroj të jetë garë e ndershme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2022 | 22:25

Lushnja në vështirësi, “lutja” e Agim Canajt: Uroj të jetë garë e ndershme

Ndërprerja e kam pionatit ka ardhur si me porosi për Lushnjën. Agim Canaj pret jo vetëm rikuperimin e lojtarëve që kanë vuajtur dëmtimin, por edhe shpërthimin e ekipit. Gjatë një prononcimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri foli për pjesën e mbetur të kampionatit dhe pritshmëritë që ka për 6 javët e mbetura.

AGIM CANAJ

“Ky pushim erdhi kur na duhej, sidomos për lojtarët që kemi të dëmtuar. Me një ekip të rehabilituar totalisht, pres një ristartim të fuqishëm të garës. Ndeshjet nuk do të jenë të lehta dhe këtë e dimë, ndaj do i vlerësojmë maksimalisht. Pavarësisht se kemi dëmtime dhe akoma lojtarët nuk janë rikuperuar, shpresoj që deri fundjavën e ardhshme të kemi një kontigjent më të bollshëm. Nëse kjo ndodh, do i kem më të lehta zgjedhjet duke filluar nga Korabi”, tha fillimisht vlonjati i verdhejeshilëve.

PIKËT – Në dispozicion të skuadrave janë 18 pikë dhe tekniku tha se Lushnja duhet të marrë sa më shumë për të mbijetuar në Kategorinë e Parë. “Unë e kam thënë dhe gjithmonë e them, që çdo pikë e humbur rëndon. Ne hymë në fazën e dytë me shumë pak pikë dhe ky ishte problem, tashmë që të gjitha skuadrat shtrëngohen, në të gjitha format. Shpresojmë që të bëhet një garë e ndershme. Ne të bëjmë atë që duan të gjithë. Të marrim sa më shumë pikë, sepse çdo gabim tani na rrezikon”, deklaroi 59-vjeçari.

SITUATA – Që të fitosh, duhet të shënosh. Sulmuesit Lushnja i ka, por prej javësh kanë vuajtur sa dëmtimet ose gjendjen jooptimale.

“Ky është problemi. Canka u kthye, por nuk është akoma në 100% e vet. Kemi lojtarë të rinj, por edhe aty kemi pasur probleme. Nuk arritëm që të rikuperojmë edhe ndonjë sulmues të mirëfilltë. Jemi përpjekur që të gjejmë një zgjidhje të mundshme…

Prandaj, edhe vështirësia ka qenë e madhe. Por, tani ka rëndësi vetëm diçka: të menaxhojmë sa më mirë grupin e lojtarëve. Pastaj, të shikojmë se me këtë do të luajmë në të gjitha repartet. Nga eksperienca, them që këto ndeshje janë shumë të vështira. Duhet të marrim pikë në çdo ndeshje jashtë edhe brenda”, përfundoi Agim Canaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"