Lushnja në Përmet, Gjyla: Jemi më të fortë se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2019 | 20:22

Lushnja në Përmet, Gjyla: Jemi më të fortë se vjet

Futbollistët e Lushnjës dhe pjesëtarët e stafit teknik janë grumbulluar dje paradite në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe më pas janë nisur drejt qytetit të Përmetit, ku do të vazhdojnë fazën përgatitore.

lushnja

Pasi janë akomoduar në hotel, lushnjarët kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore në qytetin jugor. Trajneri Ilir Gjyla dhe kapiteni Fatjon Sefa kanë dalë para mediave për të folur rreth situatës së verdhejeshilëve.

TRAJNERI GJYLA

Tekniku i skuadrës ka folur për rëndësinë që ka faza përgatitore fillimisht: “Të gjithëve u duhet faza përgatitore, por ne na duhet dy herë. Për mungesën e fushës, patjetër. Mendoj se do të na shërbejë shumë kjo fazë, i kam parë fushën dhe hotelin para se të vendosnim për të shkuar në Përmet. Më duhet të falënderoj drejtuesit e Përmetit që na lejuan të stërvitemi te fusha e tyre. Kjo fazë është baza për mbarëvajtjen e një kampionati, për më tepër që tani mendoj se deri diku jemi kompletuar. Do të luajmë edhe disa ndeshje miqësore, me Përmetin apo me skuadrat që janë afër gjeografikisht”, është shprehur trajneri Gjyla, i cili ka bindjen se ka një Lushnjë shumë më të mirë nga ajo e vitit të kaluar. “E kam thënë për “Panorama Sport” edhe më përpara se duhet boshti. Na ka ardhur stoperi (Ibrahimllari) dhe me të jemi më të kompletuar nga çfarë ishim vitin e kaluar. Këtë nuk duhet ta mohojmë, edhe pse mund të kishim nevojë për ndonjë mesfushor apo sulmues. Nuk patëm mundësi dhe me këta që kemi do të vazhdojmë të punojmë. Kam punuar me një skuadër shumë më të dobët vjet nga kjo që kam tani, megjithatë është shpejt për të folur se çfarë do të bëhet për të ardhmen”, ka shtuar Gjyla.

KAPITENI SEFA

Futbollisti me shiritin në krah, golashënuesi Fatjon Sefa, tha dje se janë mundësitë për të bërë më të mirën dhe për të realizuar objektivin e kthimit në Superiore.

“Them se Lushnja është e kompletuar. Kuptohet, e mira nuk ka fund, por mendoj se duke punuar sa më shumë do ta përballojmë denjësisht kampionatin. Kemi një ekip të mirë, me lojtarë që e njohin njëri-tjetrin. Ka ndërthurje midis djemve të rinj dhe lojtarëve të eksperiencës. Të bashkohemi të gjithë dhe të bëjmë më të mirën, të realizojmë objektivin e Lushnjës. Canka? Me të bëjmë një dyshe që është për t’u pasur frikë dhe vërtet do të na kenë frikë. E them me bindje të plotë këtë. Por le të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe ta çojmë Lushnjën edhe një herë aty ku e ka vendin, në elitën e futbollit shqiptar”, theksoi kapiteni Sefa.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"