Lushnja “ndez” vetëm në shtëpi, kanë 21 muaj që nuk thyhen! Haxhiu ka një thirrje: Secili të marrë përgjegjësitë e veta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2022 | 16:33

Lushnja “ndez” vetëm në shtëpi, kanë 21 muaj që nuk thyhen! Haxhiu ka një thirrje: Secili të marrë përgjegjësitë e veta

Lushnja po luan për të pestin vit radhazi në nivelin e dytë. Këtë sezon pritej që të pretendonin ngjitjen, por ky mision mbeti vetëm në letra.

313294916_556320026493707_5417353764581670430_n

Rënia nuk po njeh kufi dhe shifrat janë ato që dëshmojnë më së miri që skuadra është zyrtarisht në krizë. Vetëm 9 pikë në 9 javë të luajtura, e kanë pozicionuar në zonën e rënies. Në transferta njohin vetëm humbje. Në 5 ndeshje që janë luajtur jashtë, nuk kanë marrë qoftë edhe një barazim. Dhe një ekip i mirë, sigurisht veten e tregon në fushën e kundërshtarit. E megjithatë, jo gjithçka është kaq “zi”.

ECURIA NË “ROZA HAXHIU”- Në këto dy vitet e fundit, vihet re një veçori. Lushnja ka 21 muaj që nuk thyhet në “Roza Haxhiu”. Janë 25 ndeshje radhazi që nuk humbet në këtë stadiumin. Skuadra verdhejeshile shprehet më mirë në shtëpi, aq sa po vendosin edhe një rekord. Nuk humbet që nga 20 shkurti i vitit 2021, kur regjistronte një humbje të thellë 0-3 nga Egnatia. Pas kësaj ndeshjeje, njohin 14 fitore dhe 11 barazime. Ka rrezikuar humbjen në shtëpi me Burrelin, por një gol i Dacit në të 102-ën minutë barazoi gjithçka. Për këtë sezon, Lushnja si shtëpiake njeh dy fitore dhe tri barazime. Pra, 9 pikët që ka në kampionat.

APELI I HAXHIUT- Lojtarët e gjejnë “shpëtimin” te tifozët. Melis Haxhiu pret që mbështetja të mos u mungojë, pasi shumë shpejt do të nisë ngjitja në renditje. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori organizator thotë: “Kemi luksin të kemi një nga tifozëritë më të mira në Shqipëri, që na mbështesin në çdo ndeshje. Me ta, adrenalina shtohet. Ne futemi në çdo ndeshje në fushë për të fituar, por ndonjëherë nuk na do edhe fati dhe ngecim në barazim. Tani në këtë moment dihet në çfarë situate jemi. E gjithë vëmendja jonë, e sportistëve, e tifozëve është te ndeshja me Tërbunin që duhet vlerësuar seriozisht dhe mendoj se do të dalim me tri pikë. Duhet të ngjitemi në tabelë. Nevojitet shumë punë dhe secili të marrë përgjegjësinë e vet”, deklaroi mesfushori Melis Haxhiu.

24-vjeçari luan sezonin e gjashtë radhazi te Lushnja. Haxhiu dhe Mehmeti ishin autorët e golave 45 ditë më parë, kur Lushnja fitoi 2- 0 me Tërbunin, në ndeshjen e Kupës.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"