Lushnja merr Metën, kapiteni Canka “kërcënon” rivalët: Na llogarisni pretendentë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2022 | 21:38

Lushnja merr Metën, kapiteni Canka “kërcënon” rivalët: Na llogarisni pretendentë

Lushnja merr Fadil Metën. Peqinasi i është bashkuar skuadrës në Ohër, duke u bërë afrimi numër “11” në këtë merkato vere. Mbrojtësi i linjës së majtë vjen pas përvojës tek Erzeni, ndërsa më herët është aktivizuar edhe te Shkumbini, Erzeni apo edhe Liria e Prizrenit në kampionatin kosovar. Me përforcimet nuk janë mbyllur llogaritë, pasi të tjera surpriza priten deri para nisjes së garës.

Lushnja

MIQËSORJA

Lushnjarët vijojnë fazën përgatitore në Maqedoninë e Veriut. Dje, skuadra ka zhvilluar miqësoren e dytë. Këtë herë përballë kishin Jong Team, ekip i Strugës. Takimi ka përfunduar 7-0, në favor të verdhejeshilëve. Pjesa e parë përfundoi 1-0, për skuadrën e Duros, me golin e shënuar nga 18-vjeçari Damiano Arapi.

Në pjesën e dytë, qendërmbrojtësi Marjus Korreshi dyfishon shifrat, pas një goditjeje të bukur me kokë. Lushnja vijon të dominojë dhe është kapiteni Mikel Canka ai që shënon tre gola radhazi. Do të jenë 18- vjeçarët Marcelino Boçi dhe sërish Damiano Arapi, që do të fiksojnë shifrat 7-0. Lushnjarët kanë ndrequr ndjeshëm shënjestrën, ndërsa kujtojmë që në miqësoren e parë e gjetën tri herë rrjetën.

CANKA

Mikel Canka mendon se ekipi është në rrugën e duhur. Ai saktëson se afrimet po ambientohen shpejt me grupin dhe kjo do t’i ndihmojë që në javë të parë të kampionatit. Kapiteni llogarit fitore që në start, teksa do të presin Burrelin në “Roza Haxhiu”. Gjatë një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” sulmuesi që shënoi tre gola në testin e djeshëm, thotë:

“Ekipi është në gjendjen e duhur.  Lojtarët gradualisht po ambientohen me rolet e tyre dhe kanë njohur shumë shpejt njëri-tjetrin. Të shtunën kemi një ndeshje miqësore në Korçë dhe e mbyllim këtë fazë përgatitore, që po shkon mjaft mirë. E rëndësishme është që nuk kemi pasur dëmtime gjatë këtyre ditëve.

Jemi njohur me hedhjen e shortit dhe kemi mbetur mjaft të kënaqur. E nisim me Burrelin në qytetin tonë dhe shpresojmë të bëjmë një nisje të kënaqshme para publikut tonë. Jemi në rrugën e duhur dhe mund të na llogarisni pretendentë”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"