LUSHNJA/ Merkatoja nis nga golat. Canka kthehet në në shtëpi, akord edhe me Kaloshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 19:39

LUSHNJA/ Merkatoja nis nga golat. Canka kthehet në në shtëpi, akord edhe me Kaloshin

Lushnja nuk humbet kohë, nis direkt merkaton. Me të pranuar ofertën e kryebashkiakes, trajneri ka filluar punën. Agim Canaj ka kontaktuar dy futbollistët e parë, pikërisht Mikel Cankën dhe Mikel Kaloshin.

lushnja3

Ka mjaftuar një bisedë për t’i bindur, pasi po dje ata i janë bashkuar ekipit në stërvitje. Janë dy emra të mirënjohur, që kanë një të shkuar me verdhejeshilët dhe mbi të gjitha lidhje shpirtërore. Formalitetet kontraktuale nuk janë mbyllur ende, por këto ditë do të ulen me drejtuesit për të nënshkruar dhe zyrtarizuar si afrime për pjesën e mbetur të këtij kampionati. Canka është një “aset” i vërtetë për sulmin dhe jo më kot një vit më parë u shpall golashënuesi më i mirë i kësaj lige.

Tekniku i sapoemëruar nuk ka dashur që t’i ikë nga duar një lojtar i këtij kalibri dhe direkt e “peshkoi”. Pak ditë më parë 34-vjeçari shpalli “divorcin” me Besën dhe hapur e shfaqi dëshirën për t’u kthyer në bazë. Ndonëse ofertat nuk i kishin munguar, “bomberi” nuk u dorëzua dhe priti ekipin mëmë.

Kaloshi ka lënë Drenicën për lushnjarët. Pjesën e parë të sezonit gardiani 28-vjeçar e mbylli pikërisht në Kosovë. Duhet thënë që një lojtar për katërkëndorin duhej dhe sidomos kur dihet që Mikel Spahos i është dashur të sakrifikojë hera-herës. Kujtojmë që e la futbollin dhe u kthye sërish, vetëm se Lushnja nuk kishte garanci në portë.

Ky është vetëm fillimi ama, pasi me përforcimet nuk do të mbyllet këtu.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"