Lushnja me probleme, por Çuko sfidon Laçin: Gati ta surprizojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2018 | 11:40

Lushnja me probleme, por Çuko sfidon Laçin: Gati ta surprizojmë

Trajneri i Lushnjës, Dritan Çuko, do të ketë sërish një organikë të pakët në dispozicion edhe për ndeshjen e radhës me Laçin. “Jemi përsëri në kushtet e gjashtë mungesave. Tre të skualifikuar dhe tre të dëmtuar. Ekipi dihet që vuan prej kohësh nga dëmtimet e Xhafës, Koreshit dhe Markut.

Cuko

Kemi rikthimin e Papës në mesfushë, por kemi problem mungesën e Prençit që është i skualifikuar. Magani dhe Çela janë edhe për këtë ndeshje të dënuar. Do të afrojmë qendërmbrojtësin Marius Koreshi nga skuadra e të rinjve. Të shikojmë nëse do të aktivizohet që në fillim apo gjatë lojës. Ai është stërvitur dy ditë me ekipin dhe e kemi në planet tona.

Do të mundohemi të shikojmë se si do të jetë gjendja e ekipit, e lojtarëve të disponueshëm, për të vendosur më pas para ndeshjes. Të shikojmë çfarë skeme do të përdorim”, është shprehur trajneri Çuko për “Panorama Sport”. Lushnja njeh gjashtë humbje radhazi dhe ndeshja në shtëpi me Laçin shihet si një mundësi për të marrë një rezultat pozitiv.

“Luajmë në fushën tonë dhe e synojmë rezultatin pozitiv. Shpresojmë ta përmirësojmë paraqitjen që bëmë në ndeshjen me Kukësin. Të marrim një trepikësh, më shumë për moral, për vazhdimësinë e kampionatit”, përfundoi Çuko.

Lushnja

Ndërkohë, sa u përket pesë përballjeve të fundit mes dy skuadrave në stadiumin “Roza Haxhiu”, katër fitore janë për Lushnjën dhe një për Laçin. Barazimi në shtëpinë e verdhejeshilëve mungon që nga 18 shtatori i vitit 2004 (1-1, pas golave të Ervin Likës për Lushnjën dhe Xhejms Osuji për Laçin).

Sa u përket çmimeve të biletave, do të vijojnë të jenë të njëjta deri në fund të sezonit. 500 lekë (të rinj) për tribunën qendrore dhe 200 lekë (të rinj) për shkallët e licencuara. Në mënyrë sistematike, një pjesë e tifozëve i shohin ndeshjet e Lushnjës pas rrethimit të jashtëm, duke mos paguar biletë. Rezultatet negative kanë larguar edhe më shumë sportdashësit lushnjarë.

A.Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"