Lushnja me mision në Peshkopi, Kaloshi dhe Hima “luten” për fat: Duhet të blindojmë vendin e 10-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2022 | 10:57

Lushnja me mision në Peshkopi, Kaloshi dhe Hima “luten” për fat: Duhet të blindojmë vendin e 10-të

Lushnja udhëtoi me një mungesë të madhe në Peshkopi. Skuadra u nis dje, por pa Mikel Cankën. Lushnjarët do t’i bëjnë llogaritë pa kapitenin, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.

lushnja

Verdhejeshilët do të tentojnë që të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë, pasi vetëm kështu mund të qëndrojnë jashtë zonës së rrezikut. E megjithatë, janë të vetëdijshëm për vështirësinë që i pret.

Kundërshtari ka marrë pikët maksimale në shtëpi dhe kjo e bën “malore” gjithçka. Sikleti shtohet kur sheh bilancin e Lushnjës jashtë fushe. Edhe pse kampionati po shkon drejt fundit, ata nuk kanë fituar asnjë ndeshje (njohin vetëm katër barazime dhe tetë humbje).

Vetë pozitat që kanë, e kushtëzojnë ekipin që të mos dalë duarbosh dhe me këtë mision do ta luajnë javën e 25-të. Këtë e thotë për “Panorama Sport” edhe Mikel Kaloshi me Mirjan Himën. Portieri që në këtë ndeshje do të mbajë edhe shiritin e kapitenit, deklaron:

“Të shohim pas dy javëve stërvitje se si do të paraqitet skuadra… Jemi edhe pa Cankën në këtë ndeshje. Dihet situata e Lushnjës dhe nevoja për pikë.

Vijmë pas katër barazimeve, por nëse barazojmë edhe këtë ndeshje, nuk do të ishte keq. Luajmë përballë një skuadre me vlera dhe pretendime të mëdha. E dimë që është një transfertë e vështirë. E dimë edhe që Korabi është shumë i fortë në fushën e tij. Neve na duhet një pikë dhe për këtë jemi shumë të motivuar”.

Sulmuesi është në kërkim të golit, por që kjo të ndodhë, pret që të ketë edhe pak fat. “Na duhet pak fat në këtë ndeshje. Edhe personalisht kam nevojë. Në ndeshjen e fazës së parë godita dy herë shtyllën. Futbolli është i lidhur ngushtë me fatin. Kampionati është drejt fundit dhe na duhet një pikë në këtë ndeshje.

Kemi barazuar në disa fusha të vështira, si në Burrel, Pukë, Lezhë. Shpresojmë ta arrijmë edhe në Peshkopi”, përfundoi Hima, që do të ketë në krahë Hugon në ofensivë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"