Lushnja me 5 mungesa, Hysa: Pandemia na ka dëmtuar shumë, por e mundim Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2020 | 12:54

Lushnja me 5 mungesa, Hysa: Pandemia na ka dëmtuar shumë, por e mundim Elbasanin

Lushnja udhëton e cunguar sot në Cër rik, atje ku do të ndeshet me Elbasanin. Verdhejeshilët duhet t’i bëjnë llogaritë pa Ilir Gjylën në pankinë dhe 5 futbollistë në fushë. Trajneri vazhdon të jetë i karantinuar prej “COVID-19”, ndërsa mungesa zyrtare janë ato të Dionis Musakut, Adriatik Bashës, Aldo Qoshkut, Fabian Blakçorit dhe Luis da Silvës. E megjithatë, kjo nuk i pengon lushnjarët që të tentojnë kthesën. Këtë e thotë edhe Vilfor Hysa gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Pas dy barazimeve 1 me 1, sulmuesi jep garanci për fitoren.

vilfor-hysa

Pas dy barazimeve identike, a ka ardhur koha e fitores?

Ekipi është përgatitur mirë dhe është gati për këtë përballje. Vërtet kemi disa mungesa, madje edhe unë vetë kam një shqetësim të vogël, por nuk përbën problem. Jemi të etur për pikë dhe kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë transfertë.

Jeni të 3-ët në klasifikim, a janë mundësitë për të qenë më lart?

Ekipi ka ardhur deri këtu me një lojë të mirë në fushë, e cila po rritet nga ndeshja në ndeshje. Pas dy barazimeve radhazi, ekipi do të rikthehet te fitorja dhe do bëjmë çmos që kjo të ndodhë nesër (sot).

Luhet në Cërrik, ju favorizon fakti që është fushë asnjanëse?

Në futboll nuk ka “fusha ime” apo “fusha jote”, sidomos tani që stadiumet janë të mbyllura. Në Cërrik apo Elbasan qoftë, ne kemi një ekip që praktikon një futboll të rrjedhshëm, me pasime dhe me ndjeshmëri.

Çfarë duhet të riparoni krahasuar me javët e para?

Të bëjmë pak kujdes me mënyrën se si e fillojmë ndeshjen. Ta kalojmë atë pjesën e fillimit dhe të luftojmë të shënojmë ne të parët.

Jeni ambientuar në Lushnjë?

Lushnja ka një ambient shumë futbolldashës, por pandemia po na dëmton shumë. Ekipi ka një tifozëri të shkëlqyer. Na mbështesin jashtë rrethimit të stadiumit dhe krijojnë shumë atmosferë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"