Lushnja mbyll ditët sarandjote, Baze vlerëson konkurrencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 11:31

Lushnja mbyll ditët sarandjote, Baze vlerëson konkurrencën

Lushnja ka sot ditën e fundit të qëndrimit në qytetin e Sarandës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla përfundon minifazën përgatitore dhe rikthehet në shtëpi, por në program është edhe një ndeshje miqësore me Butrintin vendës paraditen e sotme.lushnja

Nëse kjo ndeshje nuk zhvillohet, lushnjarët do të bëjnë një seancë stërvitore dhe do të udhëtojnë për në qytetin e tyre.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori qendror i skuadrës verdhejeshile, Okeljan Baze, shprehet: “Po mbyllim minifazën përgatitore në Sarandë, ku gjithçka ka shkuar mirë, sipas asaj që kishte vendosur stafi ynë teknik.Ekipi po funksionon mirë dhe me prurjet e reja është shtuar konkurrenca brenda grupit të futbollistëve. Kjo na bën shumë mirë, sepse na ndihmon të arrijmë objektivin e sezonit. E rëndësishme është që në fund të realizojmë synimin tonë, ta ngjitim Lushnjën në Superiore”.

Lushnja qëndroi 10 ditë në Sarandë dhe gjatë kësaj kohe zhvilloi edhe një ndeshje miqësore në Gjirokastër me Luftëtarin, ku barazoi 1-1. Miqësorja e sotme me Butrintin pritet t’i shërbejë trajnerit Gjyla për të vendosur përfundimisht për formacionin, pasi gjatë merkatos së dimrit janë bërë disa lëvizje në hyrje dhe në dalje. Lushnja mban vendin e dytë në Grupin B, 1 pikë pas Pogradecit, të cilin synon ta parakalojë shpejt.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"