Lushnja mbush sot 89 vjeç, në përpjekje për të rilindur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2019 | 19:25

Lushnja mbush sot 89 vjeç, në përpjekje për të rilindur

Lushnja mbush sot 89 vjeç. Selia e verdhejeshilëve është nga më të vjetrat e futbollit shqiptar, ndërsa Lushnja një nga skuadrat e traditës.

lushnja

Historia e lindjes dhe zhvillimit të futbollit lushnjar e ka zanafillën në festimet e 5-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, në periudhën 21-31 janar 1925. Ishte koha kur ky kongres u bë një faktor i fuqishëm për jetën kulturore dhe sportive. Në maj të 1925-ës lindi ekipi i Lushnjës, që luajti ndeshjen e parë me Beratin, një miqësore që u prit me shumë entuziazëm.

Skuadra duhej të kishte një emër dhe u mirëprit propozimi i Ferit Vokopolës: Kongresi i Lushnjës. Dy vjet më vonë futbolli mori një zhvillim të rëndësishëm. Kthimi nga Austria i Ali Fugës dhe vendosja e tij trajner do të përbënte një ngjarje të shënuar sportive. Nisi stërvitja e rregullt dhe u luajtën ndeshje brenda prefekturës. Lojtarët dhe tifozët do ta përjetonin me shumë emocion daljen në fushë me uniformë të re dhe topat e lëkurës që solli nga Austria Ali Fuga.

lushnja-foto

Fanellat e sjella nga Austria në vitin 1927 ishin me vija vertikale jeshile, ngjyra që simbolizonte zonat fushore të Myzeqesë. Më 27 korrik 1930 themelohet shoqata sportive, ku Ali Fuga ishte shefi i parë sportiv i saj. Kampionati i parë i Kategorisë së Dytë nisi në korrik të 1930-ës, ku Kongresi i Lushnjës luajti me Tomorin, Apoloninë, Shqiponjën dhe Bardhylin.

Ndeshjen e parë ishte ndaj Apolonisë, ndërsa klasifikimi i kampionatit të parë ishte: Tomori 15 pikë, Bardhyli 10 pikë, Shqiponja 8 pikë, Apolonia 6 pikë, Kongresi i Lushnjës 4 pikë. Lushnja ka qenë pjesëmarrëse e rregullt e kampionateve të kategorisë së dytë. Në vitin 1947, skuadra mori emrin “Traktori”, duke marrë shkas nga ardhja e traktorëve të parë në Myzeqe. Në vitin 1950 ekipi mori emrin e qytetit, një vit më vonë u quajt Puna, kurse në vitin 1958 u rikthye emri Traktori. Me këtë emër skuadra u ngjit në kategorinë elitare te futbollit në vitin 1961, pas fitores historike 2-3 në Fier me Apoloninë, falë golave të Qemal Turkut.

Lushnja55

Kampionati i vitit 1961-1962 është i pari për Lushnjën në elitë, ku ajo u rendit në vend të tetë, duke lënë poshtë Vllazninë dhe Tomorin. Lushnjarët luajtën 17 kampionate radhazi në elitë, ndërsa pika kulmore është dalja në finalen e dyfishtë të Kupës me Dinamon.

Takimi i dytë final luhet më 28 janar 1978, në një stadium të tejmbushur. Traktori kishte humbur takimin e parë 0-1 dhe në Lushnjë nuk shkon më shumë se barazimi pa gola, duke e mbyllur këtë cikël pa trofe. Skuadra lushnjare la mbresa për shumë vite nën drejtimin e ish-trajnerit historik Zihni Gjinali, por pa fituar trofe. Ka humbur dy finale të tjera në vitet 1998 dhe 2000. Në 6 qershorin e 1998-ës Lushnja humbet finalen derbi me Apoloninë në Qemal Stafa, ndërsa dy vjet më vonë humbet finalen e tretë me penallti ndaj Teutës.

Lushnja

KLUBI SOT – Klubi verdhejeshil drejtohet aktualisht nga një prej intelektualëve të njohur të qytetit, Vladimir Hajdari. Ai ushtron detyrën e drejtorit administrativ të klubit, në mandatin e dytë të dhënë nga Këshilli Bashkiak i Lushnjës.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Hajdari shprehet: “Është një ditë e veçantë për klubin e Lushnjës, që mbush 89 vjeç. Klubi funksionon me të ardhurat e veta dhe me të ardhurat që i kalon bashkia në formën e subvencionimit. Struktura është ndërtuar në shtator të vitit 2013, me emërtimin ‘KF Lushnja 1930’ sh.a, me vendim të Këshillit Bashkiak dhe sipas udhëzimeve të FSHF-së. Në klubin tonë funksionojnë 4 ekipe të akademisë, ekipi i Lushnjës, së bashku me ekipet U-19, U17, U-15 dhe U13. Bashkia e Lushnjës e realizon 100% shpenzimin për klubin e futbollit dhe synimi është Superiorja”.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"