Lushnja, mbrojtësi Ruço: Ja “armët” tona plus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2019 | 19:13

Lushnja, mbrojtësi Ruço: Ja “armët” tona plus

Drejtuesit e klubit lushnjar kanë bërë deri më tani 7 përforcime dhe skuadra është thuajse e kompletuar. Java e kaluar ishte më intensive për sa i përket merkatos dhe me lëvizjet e fundit, Lushnja ka plotësuar grupin që pretendonte trajneri Ilir Gjyla.

Lushnja

Janë rikthyer me fanellën verdhejeshile Haremi, Ruço dhe Canka, të cilët sezonin e kaluar ishin pjesë e Egnatias. Po ashtu, janë rikthyer pas një viti edhe Magani me Monen, të cilët luajtën në Kosovë sezonin që shkoi. Brahimaj dhe Ibrahimllari, që gjithashtu vijnë nga Egnatia, janë dy përforcimet e tjera që do të debutojnë sezonin e ri me Lushnjën.

Edhe pse klubi është në varësi të plotë të bashkisë së qytetit, ka zhvilluar një merkato të pëlqyeshme, duke afruar lojtarë në të tria repartet, që nga porta e deri në sulm. Me rikthimin e Cankës është kompletuar sulmi, Mone është një garanci në linjën e majtë, ndërsa Ibrahimllari ka hequr edhe merakun e madh të trajnerit Gjyla për stabilizimin e mbrojtjes me një lojtar me përvojë. Deri në fund të merkatos, ndoshta mund të ketë edhe ndonjë lëvizje të fundit, gjithsesi ekipi duket i plotë në këtë moment.

RUÇO – Një nga futbollistët e rikthyer në skuadër është edhe mëngjarashi Ledion Ruço, i cili për “Panorama Sport” vlerëson faktin se grupi ka përvojën e duhur për të synuar objektivin e klubit. “Lushnja ka një grup me futbollistë, të cilët e njohin mirë njëri-tjetrin. Mendoj se është një grup me eksperiencë dhe për një skuadër të Kategorisë së Parë kjo është diçka shumë e rëndësishme, kur ka objektiva madhorë si ne. Të gjithë futbollistët kanë qenë të vëmendshëm dhe të përkushtuar gjatë këtyre përgatitjeve. Detyra jonë është të vazhdojmë me të njëjtin seriozitet deri në fillim të kampionatit dhe të jemi plotësisht gati për një nisje sa më të mbarë të tij. Besoj se Lushnja, me lojtarët që ka, do të jetë një pretendente shumë e fortë për Superioren”, është shprehur Ruço.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"