Lushnja masakron stadiumin, katër ndeshje në tetë ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 10:28

Lushnja masakron stadiumin, katër ndeshje në tetë ditë

Fusha e stadiumit “Roza Haxhiu” vijon të mbetet më e shënjestruara, për sa u përket ndeshjeve zyrtare. Ndoshta është për rekord numri i ndeshjeve që do të zhvillohen në këtë fushë brenda 8 ditësh, duke e katandisur si mos më keq. Shtatori dhe tetori kanë qenë dy muaj shumë të ngarkuar me ndeshje.

lushnja

Lushnja, skuadrat U-17 dhe U-19 të këtij klubi, Besa dhe Kukësi kanë luajtur këtu, por edhe nëntori ka nisur shumë i ngarkuar. Në 8 ditë janë programuar 4 ndeshje, pra 1 ndeshje në 2 ditë. Janë luajtur LushnjaPogradeci, Kukësi-Flamurtari dhe Lushnja U-17-Apolonia U-19, ndërsa të shtunën luhet Lushnja-Turbina.

Klubi verdhejeshil është në varësi të bashkisë dhe në bashkëpunim me FSHF-në kreu një investim dy vjet më parë, që “Roza Haxhiu” të plotësonte kriteret e Superiores, ku u përfshi edhe ndërrimi i tapetit. Në 25 muaj përdorim, ky tapet është konsumuar shumë si pasojë e një numri rekord ndeshjesh. Veç ndeshjeve të Lushnjës dhe të skuadrave zinxhir e ndeshjeve në fushë asnjanëse, FSHF-ja përmes shkresave zyrtare në klubin lushnjar ka sjellë skuadrat kombëtare të moshave për ndeshje miqësore, si dhe turne ndërkombëtarë për këtë kategori. Një mbingarkesë e jashtëzakonshme që ka ndikuar në konsumimin e fushës, garancia e së cilës u dha për 3-5 vjet nga specialisti grek Kostas Poulios që përfaqësoi firmën “HellaSod”. Por, Lushnja në fund të sezonit, sidomos nëse ngjitet në Superiore, duhet të ndërrojë sërish tapetin.

ga

EKIPI – Lushnja vijon përgatitjet për ndeshjen me Turbinën, që do ta luajë ditën e shtunë në stadiumin “Roza Haxhiu”. Te verdhejeshilët do të mungojë qendërmbrojtësi Brahimaj, i skualifikuar nga kartoni i kuq që mori ndaj Pogradecit, por rikthehet mbrojtësi tjetër Ibrahimllari, i cili e shleu dënimin. Kapiteni Sefa vijon të jetë i dëmtuar. Lushnja kryeson grupin me 15 pikë, por diferenca është reduktuar në -2 pas humbjes me Pogradecin. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gjyla përgatitet për t’u rikthyer te fitorja, që shihet si e vetmja mundësi për të ruajtur kryesimin.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"