Lushnja-Luftëtari pas 16 vitesh, në mes është një… penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2018 | 17:59

Lushnja-Luftëtari pas 16 vitesh, në mes është një… penallti

Lushnja dhe Luftëtari janë skuadrat më pak “të dashura” nga arbitrat sa u përket akordimit të 11-metërshave. Pas 17 javësh kampionat, është fakt se vetëm këto dy klube nuk kanë marrë penallti deri më tani. Deri katër ditë më parë ishte edhe Flamurtari në këtë grup, por pas 11-metërshit që mori ndaj Partizanit, mbetën vetëm Lushnja dhe Luftëtari, që si për koincidencë luajnë të dielën në stadiumin “Roza Haxhiu”. .

Impianti do të hapë dyert për herë të parë për vitin 2018, teksa prej disa ditësh po punohet që të ketë një pamje sa më të mirë. Fusha duket tërë- sisht e ripërtërirë, nisur edhe nga fakti që skuadra verdhejeshile nuk stërvitet më aty. Lushnja dhe Luftëtari është një çift që takohet pas 16 vitesh mungesë në Kategorinë Superiore. Përballja e fundit në shtëpinë e verdhejeshilëve në futbollin e elitës me gjirokastritët i përket 11 majit të vitit 2002.

Kukesi-Lushnja

Lushnjarët fitonin 2-1, falë golave të Sajmir Malkos dhe Edlir Gegës, ndërsa për gjirokastritët do të shënonte ish-kapiteni Arben Çoni nga pika e bardhë e penalltisë. Më shumë në dekadën e fundit, skuadrat janë përballur në Kategorinë e Parë, teksa Luftëtari ka fituar në vitin 2016 me golin e Dejvi Bregut.

PRENÇI – Qendërmbrojtësi i lushnjarëve, Elvis Prençi, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” u shpreh optimist për një fitore ndaj Luftëtarit. “Pas barazimit në Durrës na presin dy ndeshje në fushën tonë. Është një mundësi për të treguar se po përmirësohemi. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe të marrim pikët e kërkuara. Në shtëpinë tonë ndihemi të fortë. Kemi besim se do t’ia dalim. Sigurisht që mund ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të bëjmë të pamundurën për ta kaluar me sukses”, ka thënë mbrojtësi Prençi, i cili në fazën e dytë i ka luajtur të gjitha ndeshjet me minutazh të plotë, ku ka shënuar dhe një gol në fitoren e arritur në Kukës.

Pas dëmtimit të Markut, Prençi dhe Bufasi luajnë prej tri ndeshjesh radhazi në qendër të mbrojtjes së Lushnjës. Mbrojtja do të ketë punë këtë fundjavë për të përballuar dyshen e sulmit të Luftëtarit, Bregu dhe Abazaj, por gjithashtu edhe Vasil Shkurtajn. Skuadra e Hysen Dedjes vjen pas barazimit në Durrës, ndërsa Luftëtari pas fitores ndaj Skënderbeut.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"