Lushnja luan ndaj Shënkollit me mungesa, por Canka premton kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 10:17

Lushnja luan ndaj Shënkollit me mungesa, por Canka premton kthesën

Lushnjarët kanë për funduar dje pasdite përgatitjet në kuadrin e ndeshjes së sotme me Shënkollin, që i takon javës së 10-të të kampionatit. Pasi kryesuan për shumë javë, lushnjarët zbritën në vend të dytë në fundin e fazës së parë, kur u parakaluan nga Pogradeci me një pikë.

lushnjaa

Pas seancës së fundit stërvitore verdhejeshilët, rreth orës 15:00, janë nisur drejt qytetit të Lezhës, ku kanë kaluar natën dhe sot paradite skuadra zhvendosen për në Shënkoll, ku do të zhvillohet ndeshja. Takimi në fjalë është shumë i vlerësuar nga kampi verdhejeshil, ndaj dhe drejtuesit e kanë parë të arsyeshme të grumbullojnë skuadrën një natë para.

Trajnerit Ilir Gjyla do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm të formacionit bazë, siç janë Ledion Ruço dhe Arbër Mone, Ergys Alushi dhe Ervis Gjyla, pa përmendur kapitenin Fation Sefa, i dëmtuar prej kohësh. Kthehet mbrojtësi i krahut të djathtë, Renato Dervishi, i cili ka shlyer dënimin nga kartonët. Siç theksonte vetë trajneri i Lushnjës në numrin e djeshëm të gazetës sonë, sot kanë shansin të tregojnë vlerat e tyre alternativat, apo ata që ai i quan “mbushës topi”. Mungesat prekin të tri repartet dhe stafi teknik është munduar të bëjë modifikime.

Canka

CANKA 

Goleadori i Lushnjës, Mikel Canka, i cili mban edhe shiritin e kapitenit në mungesë të Sefës, nuk ia doli të shënonte në Fushë-Krujë, ku Lushnja humbi 2-0 dhe la kreun. Ndryshe nga disa titullarë, ai arriti të rikuperohet në kohë dhe të jetë sot në fushë, duke shpresuar se do të shënojë ndaj Shënkollit. Trajneri Gjyla pritet që në sulm, përkrah tij, të hedhë edhe Mezinin.

“Duhet dhënë maksimumi në një fushë mjaft të fortë, ndaj një kundërshtari që meriton respekt. E njohim Shënkollin që nga ndeshja e parë dhe e dimë që do të jetë mjaft e vështirë. Shpresoj që të jem vendimtar në këtë ndeshje, duke shënuar për Lushnjën. Kemi humbur kreun, por nuk jemi në presion, është java e parë e fazës së dytë të kampionatit dhe kam shumë besim se do të kthehemi sërish aty ku ishim për shumë javë, sepse është vendi ynë”, ka theksuar para nisjes për në Lezhë sulmuesi Mikel Canka, autori i 9 golave për skuadrën verdhejeshile në këtë kampionat. Me mungesën e Sefës, ai është munduar të bëjë liderin e skuadrës, por në ndeshje të caktuara, Lushnja ka vuajtur jo pak, pasi ka pasur edhe mungesa të tjera.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"