Lushnja, ish-futbollisti Hasalla vë gishtin në “plagë”: Talentet e reja po shterojnë prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2019 | 14:23

Lushnja, ish-futbollisti Hasalla vë gishtin në “plagë”: Talentet e reja po shterojnë prej…

A do të arrijë Lush nja të kthehet në Superiore sezonin tjetër? Situata duket optimiste në këtë moment, kur skuadra është në organizim e sipër. Ka 10 ditë që stërvitet, ka bërë dy përforcime dhe synon të marrë të tjerë lojtarë, por gjithçka varet nga ajo çfarë do të bëjnë lushnjarët në kampionat.

Hasalla

Blerim Hasalla, ish-futbollist i Lushnjës dhe ish-trajner i skuadrës U-19, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për gjendjen e futbollit lushnjar, duke evidentuar dy probleme madhore: infrastrukturën dhe mungesën e një sponsori.

Blerim, Lushnja ka dalë në fushë para skuadrave të tjera të grupit dhe është në stërvitje që nga 3 korriku…

Në të njëjtën datë Lushnja zbriti në fushë edhe vitin e kaluar. Është një gjë e mirë, sepse futbollisti nuk mund të rrijë prej një kohe të gjatë pa stërvitje, por nuk është gjithçka.

Po vjen një sezon i ri, por Lushnja ka disa probleme të trashëguara. Si ju duket gjendja e saj?

Kam luajtur te Lushnja deri në vitin 2012 dhe më pas kam punuar në klub deri në vitin 2016, duke drejtuar skuadrën e të rinjve. Problemi kryesor i Lushnjës është se ka një infrastrukturë shumë të dobët. Jo vetëm anekset e stadiumit, por edhe fusha sportive e Plugut është jashtë çdo standardi stërvitjeje për një skuadër futbolli. Nuk kanë përmasa, mungon bari jeshil dhe në kushtet e motit me lagështirë pushtohen nga uji dhe nga balta. Në Plug fusha është tërësisht jashtë funksionit. Që një klub të funksionojë si akademi, duhet që çdo skuadër të ketë fushën e saj stërvitore. Lushnja nuk ka një fushë të vetme, që të punohet me orar.

lushnja

Çfarë ka sjellë kjo?

Kjo ka sjellë atë që Lushnja nuk po prodhon më lojtarë. Patëm një cikël të shkëlqyer në vitet ‘98-2002, ku të gjithë lojtarët ishin nga Lushnja. Tani të gjitha skuadrat e klubit luajnë një kategori më poshtë. Klubet e tjera janë bërë me fusha, kanë sponsorë, ndërsa Lushnja çdo vit është në të njëjtën situatë. Infrastruktura po ndikon drejtpërdrejt në nxjerrjen e elementit, që Lushnja e ka pasur gjithmonë. Nëse e keni vënë re, çdo vit në skuadrën e parë ka një grup lojtarësh me eksperiencë që mbajnë peshë, por do të vijë një ditë që ata do të lënë futbollin. Problemi është si do të zëvendësohen, që të mbetet fuqia e skuadrës dhe ana kualitative.

Çfarë mendimi keni për grupin që ka Lushnja aktualisht?

Ne do të shohim si do të organizohen skuadrat. Lushnja sigurisht që do të pretendojë, sepse nuk ka diferenca. Të gjithë kanë probleme, por mendoj se Besa dhe Apolonia janë rivalet e Lushnjës.

Çfarë i duhet Lushnjës për të qenë e para ose të paktën e dyta?

Ajo dihet, 4-5 afrime shumë cilësore, që skuadra të përforcohet aty ku ka nevojë. Veç infrastrukturës, Lushnja vuan edhe mungesën e një sponsori. Sa më i lartë të jetë pretendimi, aq më e lartë është kostoja. Nëse klubi realizon blerjet e duhura, patjetër do të pretendojë.

Si ju duket skema e re e Kategorisë së Parë?

Është shumë më pozitive nga tri vitet e fundit. Ka ndryshuar verdikti në kuptimin më pozitiv. Katër pretendentë, ku vendit të dytë i jepet një mundësi me anë të ndeshjeve shtesë, më duket shumë e argumentuar. Ndeshjet shtesë i japin oksigjen kampionatit. Lushnja e ka provuar si në kuptimin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ, me Kastriotin dhe me Apoloninë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"