“Lushnja i ka marrë masat”, Balla: Kalojmë çdo pengesë, na llogarisni në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 22:35

“Lushnja i ka marrë masat”, Balla: Kalojmë çdo pengesë, na llogarisni në Kategorinë e Parë

Te Lushnja po përgatiten për ndeshjen shtesë. Matematikisht i kanë akoma shanset që ta shpëtojnë sezonin pa shkuar në “play out”, por asgjë nuk varet më prej tyre… Më e favorizuar për vendin e tetë është Besa momentalisht, ndaj edhe verdhejeshilët nuk po e ushqejnë veten me shpresa. Për të mbyllur kampionatin e rregullt, skuadra e Klevis Dalipit duhet të luajë edhe 90 minuta.

Balla

Të enjten presin Skënderbeun, i cili pretendon të marrë titullin. Edhe pse do të jetë e vështirë, në fushë do të zbresin vetëm e vetëm për fitore. Një trepikësh do të përkthehej me më shumë moral për takimin ekstra.

I këtij mendimi është edhe Joni Balla, një prej lojtarëve të talentuar të lushnjarëve. Sulmuesi i ardhur nga Dinamo U-21 gjatë merkatos së verës, beson fort te mbijetesa. Nuk i intereson aspak kundërshtari që do të kenë përballë në “play out”, pasi në fund të fundit është i sigurt që do ta kalojnë. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, 21-vjeçari tregon vështirësitë që hasën gjatë këtij rrugëtimi.

“Kampionati është në metrat e fundit. Ishte një sezon vërtetë i vështirë ky dhe me një garë shumë të fortë. Kemi për të luajtur fillimisht me Skënderbeun, por në të njëjtën kohë po përgatitemi për ndeshjen shtesë. Duhet ta fitojmë me çdo kusht për të mbetur në këtë kategori. Jam i sigurt që do t’ia dalim. Jemi të përqendruar te finalja. Kushdo që të na bjerë nga skuadrat e Kategorisë së Dytë, do ta kalojmë. Pak rëndësi ka emri i kundërshtarit para objektivit tonë”, tha fillimisht lojtari që është aktivizuar në 13 takime gjatë këtij edicioni.

Duhet thënë që stafi teknik u ka dhënë mjaftueshme hapësirë të rinjve në këtë kampionat dhe jo vetëm Ballës, por edhe lojtarëve si Arapi, Hajdari, Llacja dhe Sadiku. “Për mua ka qenë një eksperiencë tejet pozitive kjo te Lushnja.

Kam gjetur një ambient shumë futbolldashës dhe shumë dashamirës. Jam munduar ta justifikoj besimin që më është dhënë në të gjitha ndeshjet që jam aktivizuar. Kështu do të bëj edhe në minutat e mbetura, derisa të realizojmë misionin final. Ndaj, le të stërvitemi me përqendrim maksimal dhe të bëjmë detyrën, duke mbajtur Lushnjën në Kategorinë e Parë”, përfundoi 21-vjeçari.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"