Lushnja i hakërrehet gjyqtarit Ziri për humbjen në derbi, kapiteni i Apolonisë: Foli fusha, e pa e gjithë Shqipëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 13:35

Lushnja i hakërrehet gjyqtarit Ziri për humbjen në derbi, kapiteni i Apolonisë: Foli fusha, e pa e gjithë Shqipëria

Apolonia mposhti 3-1 Lushnjën në derbi në kohën e duhur, duke rimarrë “timonin” e Grupit B, të cilin vetëm në javën e 18-të ia “dorëzuan” Pogradecit. Ishte një fitore e merituar e djemve të Mërgjyshit, me vlerë 6- pikëshe, pasi u arrit ndaj një rivali direkt. Fitore me vrull rinor, përmes një loje të dominuar nga djelmoshat fierakë, përballë një Lushnje me përvojë, por shumë larg përgatitjes fizike të Apolonisë.
bandicam-2020-06-15-17-41-37-7171
Apolonia ishte shumë më e shpejtë, kronika e ndeshjes flet qartë. Por edhe Apolonia e ka “Thembrën e Akilit”, mungesa e përvojës dhe prapavija “e arnuar” me lojtarë jashtë pozicionit natyral. Një skuadër me përvojë si Lushnja di të bëjë goditje fatale, si ajo e minutës së 11-të, kur goli i Maganit nxori zbuluar problemet e defensivës fierake. Goli i barazimit erdhi me një penallti të kontestuar nga lushnjarët, por kronika e ndeshjes tregon supremacinë e Apolonisë. Ndeshjet derbi kanë gjithmonë ngarkesë, gjithmonë polemika dhe vështirë se “kapërdihet” humbja. Lushnjarët shpërthyen për gjykimin pas humbjes, ndërsa fierakët nuk janë ankuar për humbjet e dy derbeve të para të këtij sezoni, edhe pse ka pasur episode kundër tyre.
sota-750x430
KAPITENI SOTA – Lushnjarët kanë pretendimet e veta për penalltinë e fituar nga Zaimaj, duke bërë edhe deklarime të ashpra ndaj kryesorit Blerim Ziri, kurse fierakët ruajnë qetësinë e maturitetin.

“Nuk merremi me deklarimet e të tjerëve, ndeshja u pa nga gjithë Shqipëria”, thotë kapiteni fierak, Eljon Sota.

Mbrojtësi 22-vjeçar, sikurse gjithë klubi fierak, “injoron” pretendimet e lushnjarëve dhe i quan motive, duke u shprehur prerë: “Foli fusha”.

Ndërsa në analizën e ndeshjes, Sota shprehet: “Ka qenë një ndeshje e karikuar shumë kohë më parë, e tensionuar, në kuptimin futbollistik dhe me pretendimin për fitore nga të dyja ekipet. Ne fituam pastër dhe, pa u marrë me detaje të kota, them se kushdo që e ka ndjekur ndeshjen, nuk pretendon se lushnjarët meritonin më shumë se humbja. Dominuam në çdo aspekt, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që patëm momentet tona të vështira, por që janë normale për një ekip me moshë të re si ne. Për asnjë çast nuk e kemi vënë në dilemë fitoren, sepse besuam te forcat tona. Nuk i paragjykoj ankimet e kundërshtarit, por humbën dhe kërkojnë justifikim. Ne shohim përpara dhe po mendojmë për Pogradecin, një kundërshtar dhe një transfertë shumë e vështirë”, thotë për “Panorama Sport” kapiteni Sota.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"