Lushnja i falet Mezinit, 10 pikë me golat e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 14:57

Lushnja i falet Mezinit, 10 pikë me golat e tij

Lushnja është rikthyer në krye të Grupit B në Kategorinë e Parë pas dy muajsh. Më 23 nëntor të vitit të kaluar skuadra e Gjylës humbi kryesimin, në javën e fundit të fazës së parë, pas humbjes 2-0 me Ilirinë në Fushë-Krujë. Me fitoren 1-0 ndaj Devollit në stadiumin “Roza Haxhiu”, Lushnja u ngjit në vend të parë me 28 pikë, 1 më shumë se Pogradeci dhe 2 më shumë se Apolonia.

MEZINI

MEZINI – Protagonisti kryesor i ringritjes lushnjare është sulmuesi 28-vjeçar, Armando Mezini, i aktivizuar titullar pas dëmtimit të Sefës. Edhe ndaj Devollit ai shënoi golin e fitores, duke ndërtuar një aksion të bukur, të finalizuar me një diagonale të saktë. Ai vazhdon të jetë njeriu i momentit, vendimtar për pikët e saj në javët e fundit.

Për “Panorama Sport”, Mezini shprehet: “E kam ëndërruar këtë moment dhe tani po e shijoj në maksimum. Shpresoj të vazhdoj kështu. Golin ua dedikoj shokëve të skuadrës dhe tifozëve, të festojmë së bashku në çdo fund ndeshje. Tani mendojmë ndeshjen e radhës, ku duhet të marrim pikët maksimale për të mos e lëshuar më vendin e parë”. Sulmuesi i ka surprizuar të gjithë, duke shënuar katër nga gjashtë golat e Lushnjës në fazën e dytë. Dy fitoret e fundit, të dyja 1-0, mbajnë firmën e tij, ashtu si dhe fitorja në derbin me Apoloninë dhe barazimi ndaj Shënkollit. Golat e tij i kanë dhënë 10 pikë Lushnjës.

NAKO – Mbrojtësi Rudin Nako debutoi me Lushnjën ndaj Devollit dhe i dha siguri prapavijës. “E nisa me këmbë të mbarë, sepse fituam dhe morëm vendin e parë. Jam shumë i kënaqur me grupin dhe dua të bëj më të mirën. Kam bindjen se Lushnja do të jetë në Superiore”, tha Nako.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"