Lushnja humbet miqësoren e dyshimtë, 12 orë rrugë për të pësuar katër gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2017 | 10:36

Lushnja humbet miqësoren e dyshimtë, 12 orë rrugë për të pësuar katër gola

Dje në mbrëmje, në stadiumin “Via Del Mare” të Leçes është luajtur një miqësore ndërkombëtare midis ekipit vendas dhe Lushnjës të ngjitur në Kategorinë Superiore. Takimi u ndoq nga 505 shikues. Verdhekuqtë e Leçes kanë fituar me rezultatin 4-0. Të katër golat janë shënuar në pjesën e dytë.

lece lushnja

Pesë minuta pas pushimit, Turketa kaloi në avantazh skuadrën e trajnerit Roberto Riko, ndërsa gjashtë minuta më vonë Monako dyfishoi rezultatin. Katër minuta para kohës së rregullt Paçili shënoi golin e tretë për vendasit. Turketa nisi dhe mbylli goleadën pasi shënoi golin e katërt në minutën e tretë të shtesës.

Edhe pse janë munduar, lushnjarët nuk kanë mundur që të realizojnë të bëjnë diçka për të shënuar të paktën një gol. Lushnja vendosi rekordin e kësaj vere. Jo për merkaton, blerjet e bujshme apo revolucionin në klub, por për çmendurinë që bëri dje. Skuadra që u rikthye në Superiore pas katër sezonesh, udhëtoi 12 orë me traget për të luajtur një miqësore.

Dhe kur përballë është një skuadër e Serisë C në Itali si Leçe, e gjithë kjo histori lë shumë dyshime. Duket absurde se si një ekip merr përsipër një rrugëtim rraskapitës vetëm për të luajtur 90 minuta, që në fund mund të mos vlejnë për asgjë.

lece lushnja1

Dyshimet

Një skuadër që stërvitet mes shumë problemesh në fusha me pluhur dhe pa asnjë fije bari, e financuar 100% nga Bashkia, papritur vendos të bëjë një çmenduri vere. Do të ishte e justifikuar plotësisht nëse Lushnja do të ndodhej në Itali për fazë përgatitore dhe do të luante miqësore, jo vetëm me Leçen, por me çfarëdo ekipi tjetër.

Por, të vendosësh të bësh më shumë se 12 orë rrugë me traget dhe pas mbërritjes paradite në Itali, në darkë të luash ndeshjen, kjo sigurisht që në futbollin e sotëm duket absurde. Një sfidë që është e tepruar të thuash se i shërben trajnerit për të parë gjendjen e lojtarëve kur ata kanë kaluar thuajse të gjithë natën pa gjumë.

Burimet pranë klubit flasin që kjo miqësore ka kushtuar rreth 6 mijë euro, por askush nuk di të thotë se kush i ka paguar këto para. Trajneri Artan Bano do të krijonte një ide më të qartë për formën e lojtarëve duke luajtur miqësore ndaj çdo skuadre të Superiores, duke bërë vetëm 30 apo 40 kilometra.

Madje, kjo do të ishte perfekte duke matur forcën me ekipet me të cilat do të duhet të sfidojë në kampionatin e ardhshëm. E gjithë kjo histori është mbështjellë me mister dhe shumë dyshime. Në qytet kanë qarkulluar skenarë të shumtë ditët e fundit, në lidhje me këtë çmenduri të Lushnjës vetëm për një ndeshje miqësore.

Shumë e kanë paralelizuar këtë histori me ato të shumë ndeshjeve miqësore që janë luajtur vitet e fundit, të organizuara nga kompani të ndryshme dhe më pas këto takime kanë përfunduar si të dyshuara nga kompanitë e monitorimit të basteve. Një tjetër dyshim i fortë ka të bëjë me faktin se pse pranoi Lushnja një ofertë të tillë.

Dihet që është një klub i financuar nga Bashkia dhe është më e lehtë për të operuar në të tilla raste. Burimet bëjnë të ditur se një miqësore e tillë i është ofruar edhe disa klubeve të tjera të Superiores, të cilat kanë një president në krye, por kanë refuzuar, pikërisht për sakrificat që duheshin bërë për të luajtur këtë sfidë. Një prej presidentëve tha: “Nëse do të ishte Milani, sigurisht që do ia vlente kjo sakrificë.”

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"