Lushnja “hap thesin” para derbit, portieri kërkon dhuratë për ditëlindje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 16:01

Lushnja “hap thesin” para derbit, portieri kërkon dhuratë për ditëlindje

Portieri i Lushnjës, Ibrahim Bejte, ka festuar dje 29-vjetorin. Me 10 vjet karrierë në Superiore dhe në Kategorinë e Parë, Bejte ka vendosur numrin 29 mbi tortë. Ndeshja e tij e parë në kampionat i përket 2 nëntorit 2008, Lushnja-Teuta 1-1 (Kategoria Superiore). Veç Lushnjës ka luajtur edhe për Shkumbinin, Besën, Besëlidhjen dhe Sopotin. Tashmë, i rikthyer te Lushnja që në sezonin e kaluar shprehet për të dhënë maksimumin në skuadrën e vendlindjes.

Lushnja Skenderbeu

“Mendoj që kemi punuar mirë për sezonin e ri. Ka disa veteranë në ekip që e duan futbollin e qytetit dhe jemi munduar ta përcjellim këtë frymë në skuadër. Kemi disa futbollistë të rinj që duhet ta ndiejnë më shumë fanellën e Lushnjës. Besoj se do të bëjmë një fillim të mbarë. E nisim me një ndeshje ‘derbi’, prandaj duhet nga të gjithë një ndeshje me shumë zemër. Personalisht, jam i përgatitur të mbaj ‘peshën’ që më takon dhe shumë më tepër te skuadra e Lushnjës. Edhe pse luajmë në Berat kam shumë besim se do ta fitojmë ndeshjen”, është shprehur portieri Bejte.

SITUATA

Futbollistët lushnjarë kanë kryer ekzaminimet mjekësore pranë spitalit “Ihsan Çabej” të qytetit të Lushnjës. Ata kanë kryer kontrollin e EKG-së dhe u është plotësuar i gjithë dokumentacioni përkatës. Gjithashtu, futbollistët lushnjarë kanë marrë pagën e muajit gusht. Te Lushnja 18 futbollistë paguhen me 30 mijë lekë në muaj (të rinj), ndërsa 5 të tjerë me 24 mijë lekë (të rinj). 12 futbollistë përfitojnë një dietë (trajtim ushqimor), me një kuotë të caktuar ditore për 25 ditë në muaj. Në pesë premierat e fundit skuadra e Lushnjës njeh dy fitore, një barazim dhe dy humbje.

Fitorja e fundit i përket 26 shtatorit të dy viteve më parë, kur Lushnja fitonte 1-0, pikërisht ndaj Tomorit, në stadiumin “Roza Haxhiu”. Humbja e fundit në premierë i përket 10 shtatorit të vitit të kaluar, kur verdhejeshilët humbnin 0-2, ndaj Vllaznisë.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"