Lushnja godet në merkato, firmos me mesfushorin e spikatur të Pogradecit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2017 | 11:14

Lushnja godet në merkato, firmos me mesfushorin e spikatur të Pogradecit

Një muaj para fillimit të kampionatit, lushnjarët kanë zyrtarizuar gjashtë afrime. Firma e fundit verdhejeshile është ajo e pogradecarit Hermes Shkulaku. Futbollisti 24-vjeçar ka lënë Pogradecin pas pesë sezoneve radhazi dhe dje ka firmosur për Lushnjën.

Shkulaku

Pasi ka hedhur firmën në kontratë, Shkulaku ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me verdhejeshilët. Lajmi është konfirmuar nga sekretari i klubit lushnjar, Irakli Zaka. “Shkulaku është futbollisti ynë. Kishim rënë dakord me të më parë dhe, pasi i është bërë gati kontrata, ai ka firmosur (sot) dje në Pogradec”, është shprehur Zaka.

Të tjerët

Portieri Ibrahim Bejte, që rikthehet në “Roza Haxhiu” pas pesë sezonesh, ka qenë afrimi i parë. Ardhja e portierit 28- vjeçar, që ka luajtur edhe më parë me Lushnjën në dy periudha të ndryshme, është shoqëruar me largimin e Oltjan Haremit, që duket shumë pranë Egnatias. Në repartin mbrojtës është afruar 21-vjeçari beratas, Eneo Bitri. Mbrojtësi shtatlartë, që do të luajë në formë huazimi, pritet të debutojë me verdhejeshilët në Superiore.

Edhe pse janë përfolur emrat e Krajës dhe Nakos, Lushnja deri më tani ka bërë vetëm një afrim në repartin defensiv. Në mesfushë lushnjarët janë përforcuar me Orgest Gavën dhe Agim Meton. Elbasanasi do të jetë një tjetër lojtar debutues me skuadrën verdhejeshile.

E njëjta gjë vlen edhe për Meton, që për herë të parë do të veshë fanellën e Lushnjës. Lushnjarët kanë pasur në plan edhe Hyshmerin, por deri më tani nuk e kanë realizuar këtë afrim. Në repartin ofensiv, klubi lushnjar ka realizuar rikthimin e Brunild Pepës, që pret të luajë me Lushnjën pas shtatë edicionesh mungesë.

Axhenda

Lushnjarët dje paradite janë grumbulluar në stadiumin “Roza Haxhiu”. Skuadra verdhejeshile është nisur drejt Pogradecit për të vijuar fazën përgatitore. Pritet që ekipi të qëndrojë për një periudhë të gjatë në qytetin liqenor.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"