Lushnja, Gjermeni: Japim 520 milionë dhe rrimë pa futboll, vonesa është absurde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2020 | 9:25

Lushnja, Gjermeni: Japim 520 milionë dhe rrimë pa futboll, vonesa është absurde

Ka kaluar gjysma e tetorit dhe kampi onati i Kategorisë së Parë jo vetëm që ende nuk ka nisur, por nuk ka asnjë datë zyrtare kur do të ndodhë kjo gjë. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Lushnjës, Ferdinant Gjermeni, në një prononcim për “Panorama Sport”, është shprehur se vonesa e fillimit të kampionatit po çon dëm investimin e bashkisë dhe të klubit verdhejeshil. “Bashkia e Lushnjës i ka dhënë gjithnjë vlerësimin e duhur futbollit. Të miratosh 521 milionë lekë (të vjetër) në një vit kalendarik, është ta vlerësosh futbollin e qytetit, pjesëmarrjen në garë dhe partneritetin me organizatorët.

Lushnja

Bashkia jonë është aksionerja e vetme e skuadrës dhe financat varen prej saj. Ne bëjmë një sforco shumë të madhe financiare, sepse 400 milionë janë të ardhura të drejtpërdrejta të bashkisë, plus sekondaret, ndaj dhe kërkojmë të mirëkuptohemi. Çfarë po shohim? Kaloi gjysma e tetorit dhe nuk ka filluar kampionati, më 9 tetor është hedhur një kalendar pa data zyrtare. Një situatë krejtësisht e pashpjegueshme dhe e paarsyetuar. Kemi licencuar dhe federuar skuadrën, kemi bërë fazë përgatitore, kemi afruar lojtarë nga tregu vendas dhe nga tregu i huaj, sepse duam të kënaqim të gjithë dashamirësit e futbollit me investimin e bërë.

Duam të jemi faktor në kampionat, por të gjitha përpjekjet tona sot janë në “ajër”. Nuk kemi në garë skuadrën e parë, nuk kemi në garë as skuadrat e moshave, ku futbollistët e vegjël paguajnë dhe një kuotë mujore, që përfshihet në të ardhurat e akademisë” thekson Gjermeni.

ABSURDE – Situata, sipas drejtuesit të Këshillit Bashkiak, është krejtësisht absurde. “Nuk dimë kur do të luhet dhe si do të luhet. Koha kalon dhe ngjeshja është e pashmangshme. Lushnja është një klub që ka investuar të ardhurat e veta, të ardhurat e bashkisë që janë paratë e popullit lushnjar. Nuk kuptojmë çfarë pritet më dhe kush pengon fillimin e kampionatit. Kjo vonesë është shembulli më i keq për klubet që vlerësojnë seriozisht garën”, është shprehur më tej kryetari i Këshillit Bashkiak të Lushnjës, Ferdinant Gjermeni.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"