Lushnja gjen mesfushor, afrohet futbollisti që e mbylli me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2021 | 16:10

Lushnja gjen mesfushor, afrohet futbollisti që e mbylli me Egnatian

Lushnja gjen mesfushor. Pak orë para mbylljes së merkatos, klubi ka prezantuar Xhonatan Lajthinë, 22-vjeçarin që sezonin e kaluar e mbylli tek Egnatia. Ai ka dalë në stërvitje ditën e enjte, kur edhe ka firmosur kontratën 1- vjeçare me klubin verdhejeshil.

lajthia

Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, ai thotë fjalët e para si lojtar i verdhejeshilëve. “Erdha në Lushnjë, pasi mbylla një sezon me Egnatian në Kategorinë e Parë dhe iu gëzova titullit kampion. Vendosëm që të mos vazhdojë më bashkëpunimi im me klubin e Egnatias. Unë jam një mesfushor. Te Lushnja synimet janë të renditemi sa më lart në tabelë dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Stërvitja e parë ditën e enjte shkoi shumë mirë. Grupi më pëlqeu. Ishin djem serioz dhe me kualitet. Ndihem mirë, pasi kam edhe 2-3 shokë këtu, që janë Konduri, Xhymerti dhe Hima. Unë banoj në Durrës dhe e kam zgjidhur me klubin, që do të udhëtoj brenda ditës Durrës-Lushnjë-Durrës. Kështu më përshtatej më mirë”, tha lojtari i 25-të i federuar te Lushnja.

Kontrata është firmosur dje nga presidentja Eriselda Sefa, ndërsa klubi ka “blinduar” me kontratë edhe brazilianin Hugo da Silva. Lushnjarët vijojnë me përgatitjet, ndërsa sot është në program një miqësore me Albpetrolin, e cila do të luhet në stadiumin “Alush Noga” të Patosit. Trajneri Ilir Gjyla po kërkon të nxjerrë formacionin me të cilin do të startojë kampionatin.

Dëmtimi i Xhymertit në stërvitje ka shqetësuar disi stafin teknik, ndaj ka bërë disa lëvizje në repartet e avancuara. Më e fiksuar duket prapavija, me Kondurin në të djathtë, Bashën dhe Broshkën në qendër dhe majtas Mone. Në një prononcim për gazetën, qendërmbrojtësi Adriatik Basha shprehet: “E kam kaluar dëmtimin në këmbë. Jam kthyer në formën time më të mirë dhe mezi po pres që të fillojë kampionati. Me Broshkën jam shumë mirë në qendër. Më ndihmon shumë, më flet dhe është lojtar me eksperiencë. Kemi një grup të mirë, me lojtarë që dinë ta luajnë topin dhe besoj se do të rreshtohemi mes pretendentëve”.

ALBAN ALUSH-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"