Lushnja gjen Bylisin pas dy vitesh, Qoshku optimist: Kemi shpresa në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 22:49

Lushnja gjen Bylisin pas dy vitesh, Qoshku optimist: Kemi shpresa në Ballsh

Pas dy sezoneve mungesë rikthehen në Kategorinë e Parë sfidat midis Lushnjës dhe Bylisit. Vitet e fundit verdhejeshilët dhe ballshiotët kanë luftuar deri në sekondat e fundit për elitën, ndërsa këtë herë situatat kanë ndryshuar.

LUSHNJA 1

Nëse mallakastriotët kanë një start perfekt dhe nuk e njohin humbjen prej 6 javësh, lagunarët janë në pozita të tjera. Kanë mungesë të theksuar pikësh dhe i kërkojnë me ngulm për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Transfertat nuk janë pika më e fortë e skuadrës së Ilir Gjylës, ndërsa zyrtarisht nuk kanë marrë as edhe një barazim e as kanë shënuar gol.

Dhe me këtë mision do të zbresin në “Adush Muça”, për të bërë surprizën. Aldo Qoshku e quan të vështirë, por aspak të pamundur. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport, mesfushori shprehet: “Këtë javë luajmë një transfertë të vështirë, siç është kjo e Ballshit. Moralin e kemi lart pas fitores së thellë me Besëlidhjen. Ekipi ndihet më mirë, i qetë dhe ka më shumë siguri. Kemi punuar mirë dhe kemi shpresa që të marrim rezultatin e parë pozitiv jashtë fushës”.

426 minuta ka luajtur në total ky i fundit, katër ndeshje të plota dhe një të pjesshme. 21-vjeçari ka munguar vetëm në ndeshjen me Besën për shkak të një fatkeqësie familjare, ndarjes nga jeta të gjyshit të tij.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"