Lushnja firmos me tre futbollistë, trajneri Canaj pret një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 13:18

Lushnja firmos me tre futbollistë, trajneri Canaj pret një sulmues

Jo vetëm mbledhje dhe stërvitje, por edhe ditë firmash te Lushnja. Mbrëmë kanë firmosur kontratën me klubin verdhejeshil qendërmbrojtësi Florian Daci, mbrojtësi Endrien Magani dhe mesfushori Xhulian Reçi. Nëse për Maganin do të jetë periudha e tretë në Lushnjë, Daci dhe Reçi pritet të debutojnë me fanellën verdhejeshile të shtunën ndaj Maliqit.

LUSHNJA AGIM CANAJ

Para seancës së djeshme trajneri Agim Canaj zhvilloi një përgatitje teorike me skuadrën, duke u folur futbollistëve për momentin e vështirë që po kalon Lushnja dhe për rëndësinë e ndeshjes me Maliqin. Për “Panorama Sport” trajneri Canaj foli për situatën e vështirë që po kalon Lushnja.

“Unë i shoh me syrin e profesionistit. Këtu kanë munguar me kohë, nuk e di, mbase menaxhimi i bashkive është gjithmonë pak problematik. Dhe kjo, jo vetëm në Lushnjë, por edhe në qytete të tjera. Në disa qytete është kooperuar edhe me president, me investime që nuk vijnë vetëm nga bashkitë. Unë kam qenë te Korabi sezonin e kaluar dhe mbase edhe atje ishte diçka e ngjashme. Megjithatë, nuk do të hyj te kjo pjesë. E kam marrë këtë detyrë dhe do të mundohem maksimalisht për të bërë gjithmonë punën time sa më mirë. Shpresojmë shumë se gjërat do të ndryshojnë. Edhe në mbledhjet që kemi bërë me drejtuesit më të lartë, këtu qëllim të mirë kanë edhe bizneset, që prej shumë vitesh kanë qenë të fjetura, kanë shfaqur interesa. Normalisht çdo gjë vjen shkallë-shkallë. Për mendimin tim, ky është momenti më negativ në historinë e futbollit lushnjar”, ka thënë trajneri Canaj.

DA SILVA ME COVID – Lushnja është në merkato për një sulmues, ndërkohë që në ndeshjen me Maliqin do të mungojë braziliani Hugo da Silva, i cili ka dalë pozitiv me COVID. Trajneri Agim Canaj nënvizoi se në mesjavë Lushnja mund të plotësohet. “Hugo da Silva është pjesë e ekipit, por momentalisht është i infektuar me COVID. Shpresojmë të vijë edhe një sulmues tjetër, sepse kampionati është i gjatë dhe duhet të përforcojmë sulmin. Kemi shumë pak gola të shënuar dhe shumë të pësuar. Kjo do të thotë që kemi pasur probleme në mbrojtje dhe në sulm, si skuadër dhe si individë. Ardhja e Cankës dhe e disa lojtarëve na ka bërë mirë, sepse ka rritur entuziazmin. Por, mendoj që deri nga mesi i javës, mbase plotësohemi tërësisht”, deklaroi trajneri Canaj. Veç mungesës së Hugo da Silvës, që është i sëmurë, te Lushnja nuk është stërvitur edhe mbrojtësi Dionis Musaku, që është i dëmtuar.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"