Lushnja është “top”, Mone e sheh kreun vetëm çështje kohe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 23:54

Lushnja është “top”, Mone e sheh kreun vetëm çështje kohe

Lushnjarët po e për gatisin me shumë qetësi ndeshjen me Devollin, që do ta luajnë të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu”. Verdhejeshilët janë në gjendje të mirë, kanë kompletuar grupin dhe e presin plot optimizëm ndeshjen e parë të këtij viti. Kuptohet qartë edhe në fjalët e thëna për gazetën “Panorama Sport” nga fieraku Arbër Mone, i cili shprehet: 

lushnja

“Ekipi ka bërë një fazë përgatitore vërtet të mirë dhe është më i plotë me prurjet e reja. Mendoj se Lushnja ka një ekip të denjë për Superioren. Me ardhjen e Rudin Nakos, një futbollist që e njoh shumë mirë, Lushnja do të jetë më e sigurt në mbrojtje. Po ashtu, duke marrë në konsideratë edhe afrimet e tjera, sulmuesit Pepa dhe Branica, besoj se Lushnja është gati për të marrë maksimumin në çdo ndeshje dhe për të qenë ajo e para e grupit”.

DEVOLLI – Verdhejeshilët do të synojnë fitoren e tretë radhazi në kampionat ndaj Devollit. Në këtë sezon, vetëm në një rast Lushnja ka fituar tri ndeshje radhazi dhe konkretisht në tri javët e para të kampionatit. “Normalisht, fitoret janë ato që të çojnë drejt realizimit të objektivit. Kemi mundur Apoloninë dhe Besën, ndaj i kemi të gjitha mundësitë të mundim edhe Devollin. Besoj se duke bërë një ndeshje të mirë, duke qenë në maksimumin tonë, do të marrim tri pikët të shtunën”, ka theksuar Arbër Mone më tej.

Trajneri Gjyla po u jep gradualisht dorën e fundit për ndeshjen e parë zyrtare të 2020-ës. Takimi i fundit i Lushnjës ndaj Devollit i përket 24 tetorit të vitit 2010, kur lushnjarët fitonin 3-0, me gola të Klevis Gjonit, Alban Byzhytit dhe Elhan Galicës. Lushnja ka arritur të fitojë deri në 8-0 me Devollin, në 3 prillin e 2010-ës, pra 10 vite më parë, por tashmë kohët kanë ndryshuar dhe ky kundërshtar nuk është më aq i brishtë sa atëherë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"