Lushnja e transformuar/ Vetëm 4 titullarë kanë rezistuar nga vjet, ja ndryshimet nga porta në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 16:11

Lushnja e transformuar/ Vetëm 4 titullarë kanë rezistuar nga vjet, ja ndryshimet nga porta në sulm

Lushnja është transformuar. Krahasuar nga vjet, skuadra ka pësuar ndryshime të mëdha. Mjafton të shohësh formacionin e provuar këto ditë në stërvitje, për të kuptuar lëvizjet nga porta në sulm.

lushnja

Janë plot 7 debutues dhe vetëm 4 titullarë që kanë rezistuar nga kampionati i fundit. Me largimin e Kaloshit, pritet që portën ta mbrojë i ardhuri Malaj. Megjithatë, i gatshëm si gjithnjë do të jetë Spaho. Në repartin mbrojtës janë konfirmuar Basha në qendër dhe Mone në të majtë.

lushnja formacioni

Ndërsa vendet e lëna bosh prej ikjes së Boni Valerit dhe Abdulxhabarit i zënë Konduri në të djathë dhe Broshka në qendër. Ndryshime ka edhe në mesfushë, ku veç konfirmimit të Haxhiut dhe Qoshkut në qendër, pritet të luajnë në krahë Xhymerti dhe Elezi. Ndërsa sulmi është tërësisht i ndryshuar. Hysa dhe Xeka zëvendësohen nga debutuesit Hima-Hugo.

PAGAT – Më 11 shtator fillon sezoni i ri dhe klubi i ka marrë të gjitha masat. Pasi kanë përzgjedhur 25 futbollistët që do përfaqësojnë këtë edicion, është përcaktuar edhe buxheti mujor i pagave. Ato kapin shifrën e 820,000 lekëve në muaj (të rinj) dhe sigurimet e paguara janë në vlerën 136,940 lekë në muaj (këtu përfshihen edhe dy trajnerët). Sakaq, 14 futbollistë dhe dy trajnerët e ekipit të parë do të përfitojnë trajtim ushqimor (në lekë), 490 000 lekë për çdo muaj (të rinj gjithnjë).

MASAT – Edhe klubi është i përgatitur për mbarëvajtjen e ndeshjeve jashtë, duke i mbështetur financiarisht. Projektplani përfshin udhëtimin, fjetjen dhe ushqimin. Fondi i parashikuar për udhëtimet për takimet jashtë shtëpisë ka vlerën 1 416 000 lekë dieta, ndërkohë që hoteleria kap vlerën e parashikuar 1 344 000 lekë. Për ndeshjet brenda fushës, administrata e klubit ka punuar për të krijuar kushtet e nevojshme duke përfshirë mirëmbajtjen e fushës, përkatësisht tapetit të barit, që të jetë në përputhje me rregulloren e FSHF-së (korrja e barit në gjatësinë e duhur, vijëzimet etj.), mirëmbajtjen e tribunës kryesore dhe shkallëve si dhe atë të ambienteve të brendshme.

Sipas rregullores së FSHF-së, në ndeshjet brenda fushës kërkohet siguri private. Fondi i parashikuar “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi” dhe sipas ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, për shërbimin “steward” është 1 825 347 lekë. Sipas rregullores së re të FSHF-së, dyert e stadiumit do të hapen për tifozët. Fondi i parashikuar për shërbimin e biletarisë është 438 000 lekë.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"