Lushnja e “gjymtuar” kundër Laçit. Probleme me organizimin e klubit, në fund të muajit mblidhet asambleja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 17:28

Lushnja e “gjymtuar” kundër Laçit. Probleme me organizimin e klubit, në fund të muajit mblidhet asambleja

Lushnja do të presë me një grup të cunguar nesër në shtëpi Laçin. Nga tre të dëmtuarit, Xhafa, Marku, Korreshi, askush nuk është ende gati. Magani dhe Çela do të mungojnë përsëri, pasi u duhet të plotësojnë dënimin dyjavor të dhënë nga KDSja. Ndërsa qendërmbrojtësi Premçi është i skualifikuar, pasi ka plotë- suar numrin katër të kartonëve të verdhë. Lajmi i mirë i vetëm për verdhejeshilët është rikthimi i mesfushorit Papa, i cili ka ezauruar pezullimin njëjavor.

Skenderbeu-Lushnja

Klubi – Kur po shkohet drejt fundit të fazës së tretë, klubi lushnjar vijon të çalojë shumë për sa i përket organizimit. Asnjë drejtues nuk merret me skuadrën dhe selia e verdhejeshilëve ka tre muaj që ka mbetur pa sekretar klubi në detyrë. Sekretari aktual, Irakli Zaka, është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Në këto kushte, çdo gjë merret vesh me të pyetur ose në çastet e fundit. Askush nuk ndjek ecurinë dhe mbarëvajtjen e skuadrës, qoftë dhe për të informuar futbollistët, të cilët nuk kanë as kujt t’i drejtohen për problemet që kanë. Me kërkesë të këshilltarëve, në fund të këtij muaji do të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të sh.a “KF Lushnja 1930”. Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se në rend të ditës do të jetë miratimi i projektplanit financiar për vitin 2018, por edhe miratimi i pasqyrave financiare dhe raporti i audituesve të pavarur për vitin 2017.

Meto- Lushnjarët kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e nesërme me Laçin. Skuadra kërkon të bëjë më të mirën përballë një kundërshtari në formë. Për gazetën “Panorama Sport”, futbollisti i linjës së djathtë, Agim Meto, shprehet optimist. “Luajmë në fushën tonë dhe besojmë se do të bëjmë një ndeshje të mirë si me Kukësin. Shpresojmë që këtë herë ta konkretizojmë me një rezultat pozitiv”, është shprehur fieraku, i cili bashkë me kapitenin Sefa, kanë luajtur më parë me Laçin. Skuadra kurbinase e viziton për herë të tretë stadiumin “Roza Haxhiu” për këtë sezon. Në fazën e parë të kampionatit, laçianët kanë fituar 3- 0 dhe në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë ia dolën me shifrat 3-1.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"