Lushnja e favorizuar para Tomorit, udhëton me 7 ish-ë/ Duro bën “prova” në Plug

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 21:33

Lushnja e favorizuar para Tomorit, udhëton me 7 ish-ë/ Duro bën “prova” në Plug

Lushnja bëhet gati për të nisur kampionatin. Nëse më 3 shtator nuk zbritën në fushë për të luajtur me Burrelin si 12 skuadrat e tjera (pasi stadiumi “Roza Haxhiu” nuk ishte gati), këtë fundjavë do ta bëjnë “sefte” sezonin 2022- 2023. Skuadra verdhejeshile vijon të përgatitet në Plug, një fushë e re sintetike, që i shkon përshtat edhe ndeshjes së të shtunës. Këtë fundjavë shkojnë në Berat dhe atje gjejnë të njëjtin terren.

Lushnja

Verdhejeshilët kanë edhe një “bonus”, ish-ët. Te Lushnja janë të shumtë futbollistët, që kanë luajtur më parë me Tomorin, duke nisur nga kapiteni Canka, e me radhë Pepa, Ruço, portieri Kaloshi, Isufi, Ziaj si edhe Daci. Ky i fundit nuk do të jetë i gatshëm, pasi pësoi një dëmtim në miqësoren me Skënderbeun.

Shtatlarti i mbrojtjes lushnjare është në rikuperim e sipër. Pas fizioterapisë, ushtrimeve, të hënën e ardhshme ai pritet të dalë në stërvitje. Në transfertën me Tomorin, lushnjarët do të kërkojnë rezultatin pozitiv për ta nisur me këmbë të mbarë sezonin. Këtë e pohoi edhe “veterani” Ergys Alushi. 36-vjeçari, i cili po përgatitet për të luajtur sezonin e shtatë radhazi te Lushnja, për gazetën tha: “Na pret një ndeshje shumë e fortë. Ekipi vijon të përgatitet për ndeshjen. Është një transfertë e vështirë për Lushnjën. Gjithmonë këto përballje kanë qenë të forta. E vlerësojmë kundërshtarin, por shkojmë në Berat për të marrë rezultat pozitiv”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"